Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor: Bojkoti është negativ, nuk mund të jetë instrument

Drejtoresha për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në EEAS, Angelina Eichhorst ka bërë thirrje për dialog duke nënvizuar se bojkoti nuk mund të jetë një instrument që duhet të përdoret.

Duke folur në Forumin Ballkanik për Shoqërinë Civile në Tiranë, Eichhorst tha se bojkoti nuk i shërben askujt dhe duhet të gjendet një kompromis mes palëve. “Përmes dialogut dhe punës që ne kemi bërë sëbashku, mund të tregojmë se kompromisi mund të arrihet. Bojkoti nuk mund të jetë një instrument që duhet të përdoret.

Është shumë negative të thuash ne nuk do jemi të pranishëm, ne nuk vijmë. Padyshim duhet kurajo për t’u bashkuar në tryezë, të diskutojmë dhe të ballafaqohemi me çështjet që duam të diskutojmë. Është pikërisht kjo, pse ne duhet të përdorim këto mekanizma që kanë në fokus debatin, dhe themi se debati nuk është rruga e duhur që duhet ndjekur. Kjo nuk të çon drejt standardeve demokratike. E rëndësishme është që të ketë debat në të gjitha nivelet”, tha Angelina Eichhorst. Ajo theksoi se gjithçka varet nga dialogu, të punuarit së bashku dhe nga përpjekja për të arritur mirëkuptimin.

Duke ndarë të njëjtin mendim me kryebashkiakun Veliaj, Drejtoresha për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në EEAS theksoi se duhet fokusuar në atë se çfarë mund të bëhet më mirë dhe duhen parë me pozitivistet arritjet. “Siç e tha edhe Erioni, ka pak nervozizëm lidhur me punët që janë bërë, disa herë ka negativitet, dhe ne gjithmonë përpiqemi të shohim më të mirën. Është shumë gjë e mirë të shohim atë që vërtet ka ndodhur, të shohim pozitivitet.

Ky është një mesazh gjithashtu për Ballkanin dhe BE. Ju jeni vërtet të bashkuar, jemi në një kontinent, ndaj është shumë e rëndësishme mënyra sesi ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku, në një kontinent, në një union, në një familje. Kjo është busulla e punëve që ne duam të bëjmë sot dhe unë këtë e shoh qartësisht këtu në Ballkan. Është e rëndësishme të shohim bashkëpunimin e thellë në të gjitha nivelet, sigurinë, politikat për fondet, edukimin, mjedisin, në të gjitha nivelet dhe unë e di që këtë do ta diskutojmë së bashku sot”, deklaroi Angelina Eichhorst.