Vrasjet, Lleshaj: Krimi do të marrë goditje

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i pyetur nga gazetarët, tha se autoritetet kanë marrë masa për të thelluar luftën ndaj grupeve kriminale. Gjatë konferencës me homologun e tij të Çekisë, njëkohësisht Zv.kryeministër, Jan Hamacek, Lleshaj u shpreh se grupet kriminale do të marrin një goditje 360 gradë.

“Ne jemi të interesuar dhe të shqetësuar edhe për perceptimin publik që nuk është në nivelin maksimal. Ne do ta adresojmë perceptimin publik. Do të marrim masa të forta për të thelluar luftën ndaj atyre grupeve kriminale që nuk janë vënë para drejtësisë për arsye të punës nevojitet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale. Në Shkodër janë marrë masa të forta. Ne kemi qasje të integruara. Janë shumë agjenci që po punojnë në Shkodër. Do të bëhet një qasje e integruar që strukturat ende të mbijetuara të krimit në qarkun e Shkodrës të marrin një goditje nga të gjitha krahët, në mënyrë që ky fenomen dhe kjo pasiguri e krijuar për shkak të veprimtarisë së këtyre grupeve të marrë fund njëherë e mirë në Shkodër, Elbasan e gjetiu”.