Presidenti Meta nga Durrësi:Palët të tregojnë vullnet real për dialog

Presidenti Ilir Meta nga Durrësi tha, këtë të diel, se duhet dialog për të normalizuar situatën politike në vend, ndërsa u ka bërë thirrje palëve politike për reflektim.

Ai tha se beson tek dialogu i përgjegjshëm, ndërsa theksoi se nuk duhet të bëjmë hapa pas për shkak të kokëfortësisë.

“Besoj vetëm te dialogu dhe zgjidhja politike. Përparimet e këtyre viteve nuk duhet të shkojnë dëm. Detyra e tyre është të tregojnë vullnet real për dialog”, – ka thënë Meta.

Kreu i shtetit tha se pas vitit 1997 vendi ka bërë përparime dhe se këto përparime nuk duhet të shkojnë dëm për hir të kokëfortësis mes palëve politike.

“Pas 1997 vendi ka bëë përparime të rëndësishme, duke nxitur politikanët të tregojnë që në këto 22 vite që Shqipëria ka bërë përparime të mos shkojnë dëm për hir të kokëfortësive dhe demostrimeve të forcës, aq më pak në prag të sezonit turistik”,- deklaroi Presidenti.

Këto deklarata Meta i ka bërë gjatë homazheve të zhvilluara në këtë qytet, ku vendosi një kurorë me lule tek monumenti i Heroit të Popullit, Mujo Ulqinaku, me rastin e 80-vjetorit të nisjes së rezistencës Antifashiste.

Prononcimi i Presidentit Meta mbi situatën politike në vend

Pyetje: Zoti Meta, si i komentoni zhvillimet e fundit politike? Protestat vazhdojnë, ka zëvendësime…

Presidenti Meta: Unë besoj vetëm te dialogu dhe vetëm te zgjidhja politike përmes një dialogu të përgjegjshëm dhe real për të rivendosur normalitetin e plotë kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit. Besoj se pas vitit 1997 vendi ka bërë përparime të rëndësishme dhe i nxis e i inkurajoj të gjithë politikanët e përgjegjshëm kudo ku ata ndodhen, në mazhorancë apo në opozitë, të tregojnë që në këto 22 vite Shqipëria jo vetëm ka bërë përparime, por që edhe këto 22 vite nuk mund të shkojnë dëm për hir të kokëfortësive dhe të demonstrimeve të forcës përmes mitingjeve, dhe antimitingjeve të panevojshme. Aq më tepër që jemi edhe në prag të sezonit turistik, që dihet se është aq i rëndësishëm jo vetëm për Durrësin, por edhe tërë Shqipërinë dhe për ekonominë tonë. Kështu që unë besoj se ka një hapësirë të gjerë për të gjetur zgjidhjet e duhura dhe secili të reflektojë.

Pyetje: A mund të ndërhyjë Presidenti për të hapur një dialog meqenëse nuk po arrihet?

Presidenti Meta: Besoj se është detyrë e tyre që të tregojnë vullnet real për dialog dhe të heqin dorë nga përdorimi i forcës si dhe të udhëhiqen vetëm nga arsyeja dhe interesi i përbashkët.

Pas aktivitetit Presidenti Meta ka postuar në facebook këtë mesazh:

“I lumtur të takoja Aselin dhe Sirian, stërmbesat e Heroit të parë të rezistencës antifashiste, Mujo Ulqinakut, sot në 80-vjetorin e rënies heroike të simbolit kombëtar të qendresës, i cili jo vetëm mbrojti me jetën e tij betimin ndaj Atdheut dhe flamurit, por i dëshmoi Europës se Shqipëria nisi rezistencën antifashiste edhe pse e braktisur dhe e harruar. Me gjakun dhe veprën e tyre, Mujo Ulqinaku dhe patriotët e tjerë frymëzuan rezistencën antifashiste që e vendosi Shqipërinë në anën e duhur të historisë dhe qytetërimit. Ndaj sot çdo shqiptar kudo ku ndodhet kujton me nderim e mirënjohje heroizmin e tyre sublim në emër të lirisë dhe flamuri”.

Në foto: Presidenti Meta me datë 07/04/2019 në Durrës