Java e 27-të, FSHF cakton gjyqtarët për ndeshjet e sotme

Federata Shqiptare e Futbollit ka caktuar gjyqtarët që do të arbitrojnë sot në 4 ndeshjet e vlefshme për javën e 27-të të Kategorisë Superiore, ose java e fundit e fazës së tretë të kampionatit. Në program ditën e sotme janë dy ndeshje në orën 15:45 dhe dy të tjera në orën 18:45.

Kështu, në ndeshjen Laçi-Teuta do të gjykojë Ardian Beqiri, i cili kishte munguar prej disa javësh, ndërsa në sfidën mes Kastriotit dhe Kukësit, arbitër kryesor do të jetë Eldorjan Hamiti. Të dyja këto takime do të luhen në orën 15:45.

Ndërkohë në Vlorë, në sfidën mes Flamurtarit dhe Tiranës, FSHF ka vendosur të çojë 6 arbitra, ku kryesor do të jetë ndërkombëtari Enea Jorgji. Në sfidën e kryeqytetit, ku Partizani do të presë Luftëtarin, arbitër kryesor do të jetë Klodian Shahini. Këto do sfida do të luhen në orën 18:45.