VATRA – “Qeveria shqiptare” në mërgim

Pjesa e Parë/ Në 110 vjetorin e gazetës DIELLI

Nga Mal Berisha*

Hyrje

Federata Pan – Shqiptare VATRA e Amerikës dhe organi i saj botues “DIELLI” kanë luajtur një rol të tillë në historinë e Shqipërisë sa është e vështirë të krahasohen me ndonjë tjetër. Të dyja përbëjnë atë pjesë të shpirtit dhe mëndjes shqiptare e cila u largua nga atdheu duke e lënë atë në kushte e rrethana që dihen, por pa e harruar kurrë. Në fakt kjo ndarje e dhimbshme e atyre që e frymëzuan dhe e ndërtuan “Vatrën” dhe “Diellin” vazhdon të coptojë zemrën e shumë e shumë të tjerëve, të cilët edhe sot po largohen nga atdheu, jo ngaqë nuk e duan atë, por sepse kushtet dhe rrethanat ua diktojnë diçka të tillë. Roli që ka luajtur “Vatra” jonë dhe organi i saj “Dielli” në ruajtjen e territoreve etnike shqiptare dhe në formimin e shtetit shqiptar gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore dhe sidomos në Konferencën e Paqes në Paris është i pashembullt.

ROLI I VATRËS NË MBROJTJEN E KUFIJVE DHE PAVARESISË SË SHQIPËRISË

Siç dihet, pas shpalljes së pavarësise më 1912, fuqitë e mëdha e trajtuan çështjen shqiptare si një mjet për të plotësuar egot e veta, por edhe për të ruajtur paqen midis tyre, gjë që e bënë duke iu falur territore shqiptare fqinjëve. Por, në thelb, këto nuk qenë veçse lëshime që ata bënë, qoftë për armiqtë e Shqipërisë qoftë për interesat e tyre.

Në vitin 1913 u mbajt Konferenca e Ambasadorëve në Londër e cila la jashtë territorit të shtetit shqiptar gjysmën e vendit, madje mund të thuhet se nuk përfshiu pikërisht  ato pjesë të cilat kishin luajtur një rol përcaktues për heqjen e zgjedhës otomane. Kjo padrejtësi historike nuk mjaftoi ose nuk i kënaqi qarqet anti-shqiptare dhe kështu më 1915 u mbajt Traktati i Fshehtë i Londrës i cili synoi t’u shpërndante fqinjëve edhe atë pak territor që i mbeti Shqipërisë në një kohë që po ashtu edhe Italia pretendonte të merrte Vlorën me rrethinat që të plotësonte ëndrren e saj të vjetër për ta kthyer Detin Adriatik në një “Liqen Italian ” nëpërmjet  Otrantos. Pikërisht në një situatë të tillë, pra në vigjilje të coptimit të plotë të territoreve shqiptare, “Vatra” me gazetën e saj “Dielli” treguan pjekurinë dhe përgjegjësinë më të madhe për kombin e tyre dhe u hodhën në një betejë të pashembullt në mbrojtje të  atdheut.

Është folur dhe shkruar shumë lidhur me qëndrimin e “Vatrës” dhe gazetës së saj “Dielli”. Por unë do të ndalem shkurt në trajtimin që i kanë bërë kësaj çështjeje tre autorë të huaj, të cilët kanë botuar tre libra shembullorë për Historinë e Shqipërisë. Në të tre është trajtuar roli i “Vatrës” dhe i “Diellit” duke iu referuar shtypit të kohës dhe dokumentave historike.

1.- Edwin E. Jacques, autor amerikan, me librin e tij “Shqiptarët, një histori etnike prej kohëve Para-Historike deri në Kohët Moderne”, botuar në ShBA – Tetor 1995.

Ky autor, i cili jep një përshkrim historik të gjenezës shqiptare dhe zhvillimin e këtij kombi deri në ditët e sotshme është ndalur edhe tek roli që luajtën shqiptarët e Amerikës në demaskimin e intrigave të fuqive europiane dhe në formimin e shtetit të tyre shqiptar e veçanërisht në rolin që luajtën ata në Konferencen e Paqes në Paris. Libri i Edwin Jacques ka sjellë citime të shumta nga arshivat në Washington por unë do të ndalem tek disa prej tyre:

“Shqiptaro – amerikanët e Bostonit u mblodhën në një tubim historik më 4 Nëntor 1915 per t’i dërguar një peticion Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të formuar një fond ndihmash ushqimore në ndihmë të popullatës shqiptare e cila po vdiste nga uria si rezultat i bllokadës italiane në bregun e detit shqiptar pas Traktatit të Fshehtë të Londrës i cili i jepte Italisë Vlorën. Në ato ditë të vështira të mbijetesës së popullit shqiptar, ishte Peshkopi Fan Noli i cili lëshoi apelin poetik, “Jepni për Nënën” duke nxitur djemtë besnikë të shqipes që të kontribuonin me 150.000 dollarë në ndihmë të Shqipërisë, çka ishte një shumë kuptimplotë po të kihet parasysh situata e atëherëshme dhe vlera e monedhës.”

Ndër kontributet më të mëdha historike të “Vatrës” sigurisht mbeten mardhëniet e krerëve të saj me Presidentin Willson. Më 4 Korrik 1918 Peshkopi Noli, i cili përfaqësonte Federatën Pan – Shqiptare “Vatra”, si dhe përfaqësues të tjerë kombesh të vogla, e shoqëruan Presidentin Willson në jahtin presidencial “Mayflower” për tek varreza e George Washingtonit në malin Vermont. Në këtë datë të shënuar, presidenti Willson deklaroi katërmbëdhjetë pikat e vetëqeverisjes së kombeve të vogla. Më pas Fan Noli u takua me presidentin në “Mayflower” për të folur në emër të pavarësisë së Shqipërisë. Në atë takim presidenti Willson i tha Fan Nolit:

Unë do të kem vetëm një zë në Konferencën e Paqes dhe atë zë do ta përdor në emër të Shqipërisë.”

Presidenti ishte prekur thellë nga telegramet dhe letrat që kishte marrë nga shqiptarët e Amerikës për pavarësinë dhe ruajtjen e territorit të Shqipërisë.

Konferenca e Paqes e njohu Shqipërinë si një komb me vetëqeverisje të ligjshme brenda kufijve të vendosur më 1913 dhe i urdhëroi ushtritë e vendeve fqinjë që të largoheshin menjëherë prej territorit të saj. Fan Noli, si perfaqësuesi i “Vatrës” deklaroi:

Presidenti Willson bëri më shumë se askush tjetër për pavarësinë e Shqipërisë; Willsoni refuzoi kategorikisht të nënshkruante marrëveshjen deri në momentin kur u sigurua për të drejtën vetëqeverisëse të shqiptarëve“.

 Është e lehtë të kuptohet se sa cinik ka qënë sistemi komunist në Shqipëri kur deklaronte se i vetmi regjim që i mbrojti të drejtat e kombeve të vegjël ishte ai sovjetik i udhëhequr nga Lenini. Nuk ka asnjë dyshim se roli i “Vatrës” dhe organit të saj “Dielli” ka qënë përcaktues në qëndrimin e ShBA-s në atë kohë dhe sidomos në atë të  Presidentit Willson lidhur me të ardhmen e Shqipërisë ose më mirë të themi, lidhur me vetë ekzistencën e shtetit shqiptar.

 2.- Harris Silajxhiç në librin i cili e ka bërë Doktor të Shkencave Historike: “Shqipëria dhe shqiptarët ne Arkivat e Washingtonit” ka dhënë një pasqyrë të shkëlqyer të luftës dhe përpjekjeve që intelektualët shqipëtarë dhe vatranët në SHBA kanë bërë për mbrojtjen e pavarësisë së Shqiperisë dhe në  formimin e shtetit shqiptar. Zoti Silajxhiç mund të themi se ka arritur të na japë me dashamirësi orientimin perëndimor e veçanërisht orientimin pro-amerikan të shqiptarëve çka është një nder për ne dhe një goditje për pseudohistorianët, të cilët kërkojnë ta identifikojnë kombin shqiptar me një komb të prapambetur e të paorientuar.

Në këtë libër autori ka arritur të nënvizojë aftesinë e vatranëve për ta rreshtuar vendin e tyre në krah të palës së fituar si dhe krijimin e miqve të cilët e duan Shqipërinë. Dhe këta miq janë gjetur e gjënden gjithnjë në ShBA.

Në librin e tij, Zoti Silajxhiç i ka kushtuar një vëmendje shumë të madhe ndikimit të “Vatrës” mbi delegacionin amerikan në Konferencën e Paqes dhe rrjedhimisht qëndrimit amerikan mbi këtë çështje. Për këtë ai i është referuar gazetës “Dielli” dhe shumë burimeve të tjera të botuara. Megjithëse vatranët nuk arritën t’ia mbushnin mendjen presidentit amerikan që ta merrte Shqipërinë nën një protektorat amerikan, prapëseprapë roli i “Vatrës” në mbrojtjen e kufijve të përcaktuar më 1913 nga një coptim i mëtejshëm mbetet historik.

Vatranët e drejtuan luftën e tyre në këto drejtime kryesore:

1- Në bindjen e delegacionit amerikan mbi drejtësinë e kërkesave shqiptare.

2- Në diskretitimin e propogandës armiqësore anti-shqiptare e sidomos asaj greke sipas së cilës të tërë ortodoksët e Jugut të Shqipërisë janë grekë.

3- Gjallërimin e jetës politike në atdhe.

Detyra bazë e emigrantëve shqiptarë në Amerikë të grumbulluar rreth “Vatrës“ ishte që të demonstronin se shqiptarët e besimit ortodoks që jetonin në Shqipërinë e Jugut ose ata që kishin ardhur në Amerikë nga ajo zonë nuk janë grekë. Shqiptarët e Amerikës të shqetësuar nga deklaratat e Venizellosit dhe Politisit u dërgojnë nëpërmjet të Mehmet Konicës një telegram udhëheqësve të katër fuqive të mëdha, në të cilën tregojnë vendosmërinë e tyre në favor të çështjes shqiptare. Në atë mbledhje morën pjesë 124 priftërinj ndër ta edhe rumunë me origjinë nga Korça, çka ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj presionit të Patriarkanës Greke ndaj popullsisë ortodokse shqiptare në Shqipërinë e Jugut.

Këtu vlen të përmendet edhe një telegram i Dr. Mihal Turtullit, Dr Charles Telford Erciskon dhe Imzot Bumçit  në emër të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, dërguar presidentit Willson, ku i jep fakte rreth fallsitetit të thënieve greke rreth numrit të grekëve në Jug të Shqipërisë. Në vorbullën e intrigave anti-shqiptare të grekëve dhe qarqeve tjera, Federata Pan-Shqiptare “Vatra” luajti një rol të pazëvendësueshëm në sqarimin e identitetit të kombit shqiptar, përkatësisht të banorëve shqiptarë të zonave që synohej të coptoheshin.

Në një letër drejtuar presidentit Willson, vatranët e krishterë shkruanin:

“Ne të poshtëshënuarit, të krishterë ortodoksë, të lindur në këtë pjesë të Shqipërisë të cilin disa e quajnë Epir të Veriut, protestojmë energjikisht kundër deklarateve të Z.Karapanos. Situata në të cilën gjënden banorët e besimit kristian nuk dallon aspak nga situata në të cilën gjëndet pjesa tjetër e bashkatdhetarëve tanë. Të krishterë dhe muslimanë, bij të të njëjtit atdhe, që flasin të njëjtën gjuhë, që kanë të njëjtat ndjenja dhe interesa dhe që gjithmonë kanë punuar së bashku për të njëjtën çështje: Tërësinë tokësore dhe pavarësinë e Shqipërisë, jo vetëm që nuk kanë pranuar pushtimin e Shqipërisë nga trupat greke, por sapo kujtojnë genocidin e tyre të pashembullt mbi shqiptarët, kryer gjatë vitit 1914, u dridhet zemra nga tmerri.”

Vatranët kanë meritë të madhe sepse i ofruan për herë të parë delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris të drejtën për të dëshmuar në Komitetin e Mardhënieve me Jashtë në Senatin Amerikan. Prezantimin para Senatit e ka bërë njëri ndër antarët aktivë të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, Konstandin Çekrezi (antar i Kolegjiumit të Universitetit Kolumbia) i cili pasi paraqiti shkurtimisht Historinë e Shqipërise iu kërkoi senatorëve që të përqëndroheshin veçanërisht në Shqipërinë e Jugut. Ai e akuzoi Unionin Pan-Epirot për fallsifikim të nënshkrimeve në memorandumin që kjo organizatë i kishte dërguar Konferencës. Ai akuzoi pjesëmarrësit në Konferencë se çështjen e Shqipërisë po e përdornin si një objekt kompensimi për çështjet e tyre.

Kristo Dako po ashtu akuzoi Greqinë për gjithçka që kishte bërë duke dëshmuar për masakrat e kryera ndaj shqiptarëve dhe kërkoi komision hetimi në vend, i cili të vendoste për fatin e Shqipërisë. Merita e “Vatrës” qëndron tek fakti se ajo arriti të bënte që ShBA të bllokonte vënien në jetë të Traktatit të Fshehtë të Londrës. Pra vatranët arritën ta bindin presidentin Willson për drejtësinë e kauzës së tyre.

Idetë e “Vatrës” për orientimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve janë shprehur më së miri nëpërmjet të kryetarit të atëhershëm të Vatrës, Fan Noli, i cili kërkonte një komision amerikan si i vetmi i paanshëm për të ndihmuar shqiptarët për krijimin dhe vënien në efiçiencë të një shteti ku çdo shqiptar besnik të ndjehej i kënaqur. Noli ishte i sigurtë se shumë shqiptarë që ishin detyruar të emigronin në Amerikë kishin dëshirë të ktheheshin në atdhe dhe të jepnin ndihmesën në zhvillimin e tij dhe “me futjen e koncepteve amerikane të lirisë, ekonomisë dhe zhvillimit politik” ta fusnin Shqipërinë në rrugën e rilindjes ekonomike dhe kulturore. Institucionet arsimore amerikane, sipas mendimit të Nolit, do të ishin: “shpëtim për Shqipërinë, duke patur parasysh se kultura anglosaksone i përshtatet më mirë shpirtit puritan të racës shqiptare“.

Bie pra në sy se çfarë orientimi donte që t’i jepte “Vatra” zhvillimit të ardhshëm politik e ekonomik. Shqiptarët e Amerikës nën drejtimin e saj arritën që të kenë një influencë të jashtëzakonshme tek përfaqësuesit amerikanë në Konferencë. Ata luftuan për ta patur Amerikën një mandatore. Në mënyre të veçante ra në sy roli i amerikanit Çarls Telford Erikson i cili insistoi shumë për një mandat të tillë amerikan.

Vatra dhe Dielli kanë qënë të pamëshirshëm ndaj çdo tradhëtie. Në mënyre të veçante spikat qëndrimi i përfaqësuesve shqiptarë të Amerikës ndaj Esat Pashës dhe lojërave të tij ndaj çështjes shqiptare. Kështu, në një memorandum për presidentin Willson, vatranët e kundërshtojnë takimin e tij me Esat Pashën duke e konsideruar këtë të fundit një njeri që “nuk përfaqëson askënd tjetër përveçse veten e tij”.

3.- Edith Pierpont Stickney, edhe kjo një autore amerikane, e cila ka doktoruar në shkencat historike me librin: “Shqipëria e Jugut ose Epiri i Veriut në çështjet Europiane Ndërkombëtare nga viti 1912 deri me 1923”, botuar më 1925 nga Standford University Press. Autorja e ka eksploruar materialin e jashtëzakonshëm të Bibliotekës së Hooverit në ShBA (Koleksioni më i madh në botë rreth Shqipërisë për periudhën në fjalë) dhe ka sjellë tek ne një studim i cili ndonëse nuk mund të thuhet me entuziazëm se është pro-shqiptar për shkak të ftohtësisë së trajtimit të fakteve, prapëseprapë duhet çmuar për shumë të vërteta që janë thënë aty.

Në morinë e fakteve të trajtuara nga Stikney do të desha të ndalem tek përshkrimi që ajo i ka bërë rolit që luajti “Vatra” jonë si kundërshtare e denjë dhe bindëse ndaj propogandës greke ne Konferencën e Paqes. Ajo çfarë duhet nënvizuar është fakti që rreth 31 organizata Pan-epirote nga ShBA-ja, Anglia, Australia e gjetkë, kishin ndërmarrë një fushatë të ethshme shpifjesh e mashtrimesh mbi të drejtën historike dhe legjitime, që sipas tyre, gëzonin grekët mbi Epirin e Veriut ose mbi Shqipërinë e Jugut.  Autoria thotë se në përbërje të këtyre organizatave bënin pjesë gjithfarë pseudohistorianësh, pseudogazetarësh, fallsifikatorësh, pamfletistësh, karikaturistësh, fotografësh, të cilët mbushnin çdo rrugë kryesore të Parisit me fletushka të cilat shprehnin gjoja padrejtësinë e madhe që u ishte bërë grekëve të Epirit të Veriut. Kësaj lukunie greke i bënte ballë me dinjitet Federata – Pan Shqiptare “Vatra” si dhe organi i saj “Dielli”. Ndërsa nga Anglia një grup intelektualësh të shquar anglezë të drejtuar nga e njohura Edith Durham punonte pareshtur sa me Foreign Officin anglez aq edhe me mjetet e atëherëshme propagandistike për të bindur opinionin publik mbi drejtësinë e kërkesave të shqiptarëve.

Stikney nënvizon faktin se Federata Panshqiptare “Vatra” e Amerikës që nga formimi i saj më 1912 e deri më 1919 kishte arritur të ndërtonte 72 degë anë e mbanë ShBA – s dhe Kanadasë si dhe të botonte gazetën e saj “Dielli” dhe një revistë mujore të quajtur “Adriatic Revieë.”

Federata Panshqiptare “Vatra” e Amerikës pati një delegat në Paris më 1919, Rev. C.Telford Erikson, misionar amerikan në Shqipëri. E dyta për nga rëndësia thotë Stikney, ishte Shoqeria Anglo – Amerikane e themeluar pak para sesa të përfundonte lufta e që kishte si qëllim njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Kjo shoqëri luftonte në dy fronte: atë të botimeve dhe të komunikimit me shtypin dhe Dhomën e Komunave. Nga më të shquarit prej tyre ishte i nderuari Aubrey Herbert, si president dhe Edith Durham, të dy miq të flaktë të Shqipërisë. Përkrah përfaqësuesit të Federates Pan – Shqiptare “Vatra”, ishin edhe delegacione të tjera të përbëra prej delegatësh nga kolonitë në Stamboll, Rumani dhe nga territoret e Korçës.

Rëndësinë e veprimtarisë së Vatrës në dobi të çështjes shqiptare e ka shprehur më mirë se kushdo një ndër armiqtë më të mëdhenj të Shqipërisë, Kryeministri i atëhershëm grek Venizellos kur deklaronte:

 “Ishte Vatra ajo që ma hoqi nga dora Vorio Epirin.”

“Vatra” është nga ato organizata shqiptare që ka vulosur në historinë e Shqipërisë një emër të artë dhe kjo pikërisht sepse korifejtë e kulturës tonë kombëtare, Noli e Konica, e sa e sa bij të tjerë të Vatrës kanë vënë çdogjë në shërbim të atdheut. Në këtë pamje, le ta kujtojmë historinë e Vatrës që ajo të përsëritet tek brezat e rinj qofshin të lindur, qofshin të ardhur së voni në Amerikë.

Delegati i Vatrës, Ch.T. Erikson deklaronte në Kongresin Amerikan në vitin 1919 si më poshtë:

“Tek shqiptarët gjen virtyte të cilat do të ishin të dëshirueshme për shumë popuj të përparuar. Propaganda sistematike i ka paraqitur si armiq të qytetërimit dhe plaçkitës por kjo është vetëm një gënjeshtër. Une kam jetuar disa vite në mes të shqiptarëve dhe për këtë ndjehem i detyruar të them të vërtetën. Ata janë intelegjentë, fisnikë, punëtorë, e duan jetën familjare, seriozë, mikpritës, besnikë deri në vdekje. Për të tillë popull e kam njohur popullin shqiptar dhe jam krenar që po e përfaqësoj sot këtu”.

 

Pikërisht në këtë traditë të “Vatrës” u zhvillua lufta për Kosovën nëpërmjet përfaqësuesve të popullit amerikan në Kongres, Senat e administratë. E nëse i nderuari Bob Doll u angazhua kaq shumë në çështjen tonë për Kosovën të mos harrojmë se ishin shqiptarët e Amerikës ata që e njohën, bindën dhe vunë në veprim një figurë kaq të nderuar. Kjo është beteja për kauzën tonë kombëtare. Henry Kisinger, vetëm disa ditë përpara fillimit të bombardimit në Jugosllavi deklaronte hapur se ishte kundër një ndërmarrje të tillë. Por kur Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane, në sallën e Kongresit Amerikan i dorëzoi atij librin “Shpëtimi në Shqipëri” botuar nga kjo Ligë dhe kur i thanë se tek ky libër do të gjente një histori të madhe të nje kombi që sot rrezikohet si hebrejtë dikur, nuk vonoi dhe doli mbrojtësi më i flaktë i bombardimeve dhe përpjekjeve amerikane për çlirimin e Kosovës.

Në një cikël emisionesh të drejtëperdrejta televizive të Kanalit CN8 Nju Xhersi kam patur rastin të debatoj me shumë shikues. Një prej tyre më tha:

“Ju shqiptarët po na goditni ne serbëve me dorën e Bob Dollit i cili është shqiptar nga origjina.”

Edhe pse kjo nuk ishte e vërtetë, prapëseprapë tregon sesa afër janë ndjerë shqiptaro – amerikanët me heroin American, të nderuarin Senatorin, Robert Doll.

Por përkrah tij kanë qenë miq të tjerë të shqiptarëve, miqtë e “Vatrës” dhe të organizatave te tjera shqiptare siç jane Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane e drejtuat nga ish – Kongresmeni me origjinë arbëreshe, i nderuari Joseph DioGuardi dhe kongresmenët Benjamin Gilman, Eliot Engell, Sue Weisenbarger Kelly, të gjithë si dhe shumë të tjerë në administratë të cilët janë angazhuar në çështjen shqiptare falë përpjekjeve të shqiptaro – amerikanëve. Kjo përbën pjesën më të shkëlqyer të asaj që “Vatra” dhe vatranët si dhe shqiptaro – amerikanët në përgjithësi kanë bërë për Kosovën deri tek presidenti amerikan.

*Studjues dhe diplomat