Ish-ministri i Jashtëm: Demokracia nuk është procedurë që zgjidhet me zëvendësimin e deputetëve nga lista

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në fjalën e mbajtur sot në Kuvend ka qenë i vetmi socialist që ka kërkuar reflektim jo vetëm nga ana e opozitës, por edhe brenda mazhorancës.

Ish-ministri deklaroi se nuk e mbështet daljen e opozitës nga Kuvendi, djegien e mandateve dhe as përplasjen e opozitës më policinë dhe institucionet.

“Ne në PS nuk duhet të jemi arrogantë. Demokracia nuk është procedurë. Procedurë është zëvendësimi i listave siç po bëhet. Demokracia është respekt…”, deklaroi Bushati.

Pjesë nga fjala e Ditmir Bushati: …Politika shqiptare, për herë të parë është në një situatë të paprecedentë. Jemi gjetur shpesh në rrethrrotullime, por për herë të parë dy parti parlamentare kanë dorëzuar mandatet. Kjo është e paprecedentë jo vetëm për shtete të Ballkanit, por edhe për regjime despotike si të Venezuelës….
Nuk duhet të mohojmë faktin se boja, mielli kanë dalë në rrugë dhe janë drejtuar gabimisht drejt policisë. Duke dalë nga Parlamenti opozita ka dëshmuar një llojë frike dhe kapitullimi, por kjo nuk mund të na bëjë ne të jemi arrogantë. Kjo nuk mund të na bëjë ne të shpenzojmë orë të tëra duke u marrë me protestat e opozitës. Ne nuk mund të biem në kurthin e profecisë vetëpërmbushëse. Ne jemi Partia Socialiste, demokratë progresistë, ne duam të ndërtojmë një shoqëri më të mirë, për fëmijët anë dhe për fëmijët e opozitës që nuk janë në sallë. Kjo është arsyeja pse e mbështes propozimin e Damian Gjiknurit për të dhënë më shumë hapësirë në reformën zgjedhore. Sepse unë nuk e konceptojë demokracinë si procedurë. Demokracia procedurë është zëvendësimi i formal i listës së PD dhe LSI, por demokracia është dhe thelb dhe fakti që ne krijojmë mundësinë për një marrëveshje të ardhshme për rregullat e lojës, qoftë me opozitën parlamentare, por edhe opozitën politike besoj se është shprehja më e lartë e ndërgjegjësimit që ka PS për fatet e demokracisë dhe fatet e Shqipërisë…