Ankesa për furnizimin me ujë – Enti bën gati rregulloren e re: Ankimimi shqyrtohet për 60 ditë

Enti Rregullator i Ujit ka nxjerrë për konsultim publik një draft-rregullore, e cila do të përcaktojë të gjithë hapat që mund të ndjekë çdo qytetar që ka ankesa me kompanitë e ujësjellës-kanalizimeve. Objektivi kryesor i kësaj rregulloreje është garantimi i të drejtës së ankimimit si dhe vendosja e hapave të qartë e të kuptueshëm nga ana e qytatërve. Referuar dokumentit, çdo persona mund të paraqesë dorazi ose në formë elektronike  një ankesë pranë Komisionit të Entit Rregullator të Ujit, duke përcaktuar identitetin dhe qëllimin e saj.

Me regjistrimin e ankesës, personi që paraqet ankimin, në çdo rast, i lëshohet një vërtetim që konfirmon faktin e pranimit të ankimit. Ndërkohë që, gjatë shqyrtimit të ankesës Komisioni do të bëjë verifikime në terren, si dhe mund të lindë nevoja edhe për dorëzimin e provave si nga qytetarët, ashtu edhe nga kompanitë e ujësjellësve.

Gjithashtu, draft-rregullorja përcakton edhe afatet e shqyrtimit të ankesës, duke përcaktuar se kjo pocedurë nuk mund të zgjatë më shumë se 60 ditë nga data e njoftimit për pranimin e ankimimit. Vendimi përfundimtar, si akt administrativ fillon të sjellë pasoja juridike ndaj palës së cilës i drejtohet apo interesat e së cilës preken nga akti, me njoftimin palëve të përmbajtjes së aktit.