Zuzana Caputova, zgjidhet presidentja e parë femër në Sllovaki

Zuzana Caputova ka fituar zgjedhjet presidenciale në Sllovaki, duke u bërë kësisoj presidentja e parë e vendit me 5.4 milionë banorë.

Pas numërimit të 98.1 për qind të votave, zonja Caputova doli fituese me 58.3 për qind, ndërsa kundër kandidati i saj, komisionari evropian, Maros Sefcovic, mori 41.7 për qind të votave.

Zonja Caputova, e cila mbron të drejtat e homoseksualëve dhe kundërshton ndalimin e abortit në Sllovaki, kishte fituar 40 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve, para dy javësh.

Posti i presidentit në Sllovaki është ceremonial, por presidentja emëron kryeministrin dhe mund t’u vërë veto emërimeve të prokurorëve dhe gjykatësve.