Diplomaci/Gent Cakaj, zv/ministri i gafave

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe ministri në detyrë, Gent Cakaj, paralajmëroi dje që në orët e para të mëngjesit një konferencë të bujshme për mediat. Njoftimi për konferencën u shpërnda me urgjencë edhe nga zyra e shtypit e Kryeministrit Edi Rama. Angazhimi i gjithë stafeve të propagandës së qeverisë për daljen mediake të yllit në ngjitje të Ministrisë së Jashtme tregonte se shqiptarët do të njiheshin me ndonjë zhvillim të fortë  në diplomacinë tonë të jashtme. Ndaj të gjithë ishin dje me veshë në krahë se çdo thotë ky “ministri”, të cilin kryeministri e quan fat që e ka Shqipëria.

Televizionet që transmetojnë live lanë gjithë ngjarjet e tjera, si masakrën në Shkodër, dhunën ndaj protestuesve në Mirditë, drogën që u kap në Memaliaj dhe u lëshuan me “kuç e maç” për të ndjekur konferencën e rëndësishme që njoftoi Ministria. Korrespodentët e agjencive të huaja, njoftuan qendrat e tyre në Paris, Londër dhe Bruksel se nga Tirana kishte zhvillime të forta diplomatike. Ambasadorët e huaj lanë pushimin e fundjavës dhe morën përkthyesit në zyrë për të dëgjuar se çdo thoshte djaloshi kosovar, të cilin na e sollën si ministër të jashtëm, kur kishte plot personalitete vendi dhe sidomos PS-ja.

Më në fund në ora 13.43 ministri në detyrë doli para mediave. Pak me vonesë, mesa duket për t’i dhënë rëndësi vetes, por doli dhe mbajti një konferencë që hyri në historinë e marrëdhënieve publike të institucioneve. Në nisje të deklaratës, Cakaj ministër i Jashtëm në detyrë, tha se do të fliste për Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Që në fjalinë e parë, gazetarët ngritën supet. Pyetja që u erdhi në mendje, por që kishin marrë porosi të mos e bënin ishte: Ç’punë ka Ministria e Jashtme me çështjet e brendshme, si trafiku i drogës, mbjellja e hashashit, pastrimi i parave, grupet kriminale etj, kur për këtë duhej të dilte ministri i brendshëm Sandër Lleshi. Por ministri i brendshëm është burrë me mend dhe me thinja ndaj e di se po të dilte do merrte përgjegjsi ministria e tij dhe ia kaloi “topin” Gent Cakaj.

Raporti i DASH që u publikua të premten është dokument me të dhëna nga shërbimet policore dhe jep detaje për mënyrën si organizohen trafiqet e dogës dhe çfarë bëjnë institucionet në luftën kundër saj. Janë detaje që përgjegjësinë për zbatimin e tyre e ka vetëm Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Prokuroria apo Gjykatat dhe nuk lidhen gjëkundi me Ministrinë e Jashtme. Zyrtarisht Cakaj është zëvendësministër i Brendshëm dhe ministër në detyrë pas kompetencave që i dha Edi Rama. Rrëmuja me kompetencat e institucionit që duhet të përgjigjet për raportin e DASH është gafa më e vogël që pamë në konferencën e djeshme. Situata bëhet më e komplikuar nëse i hyn analizës së asaj që tha Gent Cakaj. Fjalia më poshtë është shkëputur në nisje të fjalimit, ku ministri në detyrë u përpoq të shpjegonte se përse Ministria e Jashtme mund të bëjë dhe punën e Ministrisë së Brendshme. Lexoni dhe gjykojeni këtë fragment dhe nëse kuptoni gjë, atëhere jeni për çmim Republike!

“Ministria e Punëve të Jashtme, ndonëse është përfaqësuesja dhe artikuluesja e interesave të brendshme të Shqipërisë, nuk mund të shkëputet as sesi nga përgjegjësia për llogarinë e brendshme që duhet të japë për zhvillimet e Jashtme“,- deklaroi Gent Cakaj. Edhe pasi e ke lexuar 5 herë të njëjtën fjali, sërish nuk të hiqet nga mendja pyetja: Çfarë dreqin ka dashur të thotë zv/ministri?!

Por seria e gafave nuk mbaron me kaq. Cakaj nisi të flasë me kompetencë dhe për termat e krimit të organizuar duke u ngatërruar dhe më keq. Lidhur me fenomenin e njohur të “pastrimit të parave”, Cakaj  i referohej me togfjalëshin e ri “shpërlarja e parave”. Në këtë rast nuk është çështja vetëm te normat gjuhësore, por padashje kemi një proces të ri që Ministria e Brendshme duhet ta sqarojë se çfarë është. Që të arrijmë te “shpërlarja e parave”, fillimisht duhet të kryhet dhe procesi i “larjes së parave”. Praktikisht zv/ministri shtoi dhe një proces tjetër të komplikuar në “pastrimin e parave” të veprave kriminale që as raporti i DASH nuk e përmend. Por veç gabimeve “teknike”, konferenca për shtyp e zv/ministrit ishte gafë edhe nga përmbajtja. Raporti i SHBA praktikisht rrëzonte gjithë mburrjet e qeverisë së ka arritur sukses në luftën kundër drogës dhe trafiqeve. Por zv/ministrit Cakaj tha se “raporti ishte pozitiv dhe tregonte arritjet e qeverisë”. Një deklaratë që duket se ka çuditur dhe median shtetërore të SHBA, “Zërin e Amerikës”. Media që shquhet për seriozitetin e saj në raportim dje nuk e kursente ironinë, teksa krahasonte të dhënat e raportit dhe deklaratën e Cakaj.  “Në raport Shqipëria vlerësohet të jetë njëkohësisht burim i kanabisit dhe, gjithnjë e më shumë, një vend tranzit për kokainën dhe heroine”,- shkruan “Zëri i Amerikës”, duke shtuar se- “për Gent Cakaj, ky dokument ofron një pasqyrë realiste dhe është inkurajues për reformat e ndërmarra”.

Në Facebook kryeministri Edi Rama ka shkruar se Cakaj në konferencë sqaroi raportin e DASH, pasi opozita dhe media nuk dinë ta kuptojnë dhe lexojnë. Pas deklaratave të Cakaj, një gjë është e sigurt, raportin e DASH edhe nëse nuk e kuptuan shqip e lexojnë anglisht, po deklaratat e zv/ministrit a i kupton njeri?

Kujtojmë që kur Cakaj refuzohej për postin e ministrit të jashtëm, kreu i qeverisë Edi Rama e mbrojti duke e quajtur njeriun më të lexuar në gjithë kabinetin e tij. Pas ngatërrimit të vargjeve në recitime poezish dhe lapsuse të tjera, me deklaratën e sotme Cakaj po ia del më së miri të bjerë në sy dhe të prodhojë lajme. Vetëm se jo për punën në Ministrinë e Jashme, por për sasinë e gafave që prodhon. Më konferencën e djeshme e ka thyer rekordin e çdo zyrtari tjetër të mëparshëm.

Gent Cakaj nuk është djalë i keq, realisht. Por i kanë caktuar një detyrë që nuk e bën dot. Faji i tij mbetet se e pranon detyrën, sepse të jesh kryediplomat i një shteti kërkon eksperiencë, zgjuarsi, kulturë dhe mbi të gjitha qetësi olimpike.

Pas konferencës së shtypit, Endri Fuga, njeri me mend në atë fortesë kryeministrore tha: Ça i bëmë vetes që e nxorëm në media live, këtë Cakën! Më mirë kur budallallëkun nuk e merr vesh njeri, se sa ua dhamë vetë ta shikonin gjithë shqiptarët!

Qamil Xhani