Përplasja në prani të Nikollës, dhunohet qytetari (VIDEO)

Një incident i rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në zonën e Kurbneshit në Mirditë, ku ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe deputetja e PS, Lindita Nikolla, kishin mbërritur për një takim me banorët. Duke përfituar nga prania e zyrtareve socialiste, një grup banorësh ishin mbledhur për të protestuar kundër ndërtimit të një hec-i, për të cilin thonë se rrezikon të lërë pa ujë të pijshëm fshatin Lufaj.

I pranishëm në takim ishte edhe kryebashkiaku Ndrec Deda, që po bisedonte me protestuesit, por kur njëri prej tyre nxorri telefonin për të filmuar, u dhuna nga një prej zyrtarëve të bashkisë. Zyrtari shihet teksa i merr telefonin nga dora banorit dhe ia përplas në tokë, për të vijuar më pas me kërcënime. Nikolla ndërhyri duke u përpjekur të qetësojë situatën, por pa sukses. Në videon e publikuar nga ”Fax News”, dëgjohet se si zyrtari i bashkisë dhe kryebashkiaku Deda shprehen të irrituar përse po filmoheshin nga qytetari, a thua se nuk janë funksionarë publikë. Mësohet gjithashtu se aktiviteti i Ballukut dhe Nikollës është xhiruar nga regjia e ”Edi Rama TV”, ndërsa gazetarët lokalë nuk janë lejuar të filmojnë.

Mbërritja e Ministres së Energjitikës dhe Infrastrukturës Belinda Balluku gjatë ditës së djeshme në zonën e Kurbneshit është shoqëruar me një incident mes banorëve dhe përfaqësuesve të Bashkisë së Mirditës. Shkak për këtë është bërë fakti se disa prej banorëve që kanë kundërshtuar fuqishëm ndërtimin e HEC-eve ishin duke filmuar në momentin kur kryebashkiaku Ndrec Deda po sqaronte se pse HEC-i duhej ndërtuar në zonë. Nga ndërtimi i këtij HEC-i rrezikonte të mbetej pa ujë të pijshëm fshati Lufaj, i njësisë administrative Selitë.

Një prej punonjësve të Bashkisë që ai drejton i ka thyer telefonin një prej qytetarëve, çka shkaktuar jo pak tension mes palëve. Në ato momente ka ndërhyrë dhe ish-ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, e cila është njëherësh dhe deputete në qarkun e Lezhës. Ajo ka kapur prej krahu dhe është munduar që të qetësojë banorin me fjalët ”qetësohu zemër”, po kjo e ka irrituar edhe më shumë qytetarin, shkruan Faxweb.al. Sa i përket protestës kundër hec-it, ajo është mbështetur edhe nga ipeshkevi i Mirditës, Gjergj Meta.