Deklarata idiote e Gent Cakaj për punët e jashtme dhe të brendshme

Edi Rama dhe Gent Cakaj

Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë, Gent Cakaj, paralajmëroi sot që në orët e para të mëngjesit një konferencë të bujshme për mediat. Njoftimi për konferencën u shpërnda me urgjencë edhe nga zyra e shtypit e Kryeministrit Edi Rama. Angazhimi i gjithë stafeve të propagandës së qeverisë për daljen mediake të yllit në ngjitje të Ministrisë së Jashtme tregonte se shqiptarët do të njiheshin me ndonjë zhvillim të fortë  në diplomacinë tonë të jashtme.

Televizionet që transmetojnë live lanë gjithë ngjarjet e tjera, si masakrën në Shkodër, dhunën ndaj protestuesve në Mirditë, drogën që u kap në Memaliaj, dhe u lëshuan për të ndjekur konferencën e rëndësishme që njoftoi Ministria. Korrespodentët e agjencive të huaja, njoftuan qendrat e tyre në Paris, Londër dhe Bruksel se nga Tirana kishte sot zhvillime të forta diplomatike.

Dhe ministri në detyrë doli para mediave. Pak me vonesë, mesa duket për t’i dhënë rëndësi vetes, por doli dhe mbajti një konferencë që hyri në historinë e marrëdhënieve publike të institucioneve. Në nisje të deklaratës, Cakaj ministër i Jashtëm në detyrë, tha se do të fliste për Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Që në fjalinë e parë, gazetarët ngritën supet. Pyetja që u erdhi në mendje, por që kishin marrë porosi të mos e bënin ishte: Ç’punë ka Ministria e Jashtme me çështjet e brendshme, si trafiku i drogës, mbjellja e hashashit, pastrimi i parave, grupet kriminale etj,?

Raporti i DASH që u publikua dje është dokument me të dhëna nga shërbimet policore dhe jep detaje për mënyrën si organizohen trafiqet e dogës dhe çfarë bëjnë institucionet në luftën kundër saj. Janë detaje që përgjegjësinë për zbatimin e tyre e ka vetëm Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit dhe nuk lidhen gjëkundi me Ministrinë e Jashtme. Pra, në vend të Gent Cakaj sot mund të kishte dalë ministri Sandër Lleshi apo drejtues të Ministrisë së Brendshme, si institucioni që ka detyrë goditjen e fenomeneve për të cilat DASH kishte “nxirë” Shqipërinë.

Zyrtarisht Cakaj është zëvendësministër i Jashëm dhe ministër në detyrë pas kompetencave që i dha Edi Rama. Zëvendësministrit që ka më shumë detyra në qeverinë “Rama” ju shtua dhe një tjetër, të bëjë dhe rolin e Ministrit të Brendshëm.

Rrëmuja me kompetencat e institucionit që duhet të përgjigjet për raportin e DASH është gafa më e vogël që pamë në konferencën e sotme. Situata bëhet më e komplikuar nëse i hyn analizës së asaj që tha Gent Cakaj.

Fjalia më poshtë është shkëputur në nisje të fjalimit, ku ministri në detyrë u përpoq të shpjegonte se përse Ministria e Jashtme mund të bëjë dhe punën e Ministrisë së Brendshme.

Ministria e Punëve të Jashtme, ndonëse është përfaqësuesja dhe artikuluesja e interesave të brendshme të Shqipërisë, nuk mund të shkëputet as sesi nga përgjegjësia për llogarinë e brendshme që duhet të japë për zhvillimet e Jashtme“,- deklaroi Gent Cakaj.

Edhe pasi e ke lexuar 5 herë të njëjtën fjali, sërish nuk të hiqet nga mendja pyetja: Çfarë dreqin ka dashur të thotë zv/ministrit?

Në Facebook kryeministri Edi Rama ka shkruar se Cakaj në konferencë sqaroi raportin e DASH, pasi opozita dhe media nuk dinë ta kuptojnë dhe lexojnë. Pas deklaratave të Cakaj, një gjë është e sigurt, raportin e DASH edhe nëse nuk e kuptuan shqip e lexojnë anglisht, po deklaratat e zv/ministrit a i kupton njeri në qeveri?

Kujtojmë që kur Cakaj refuzohej për postin e ministrit të jashtëm, kreu i qeverisë Edi Rama e mbrojti duke e quajtur njeriun më të lexuar në gjithë kabinetin e tij. Pas ngatërrimit të vargjeve në recitime poezish dhe lapsuse të tjera , me deklaratën e sotme Cakaj po arrin të bjerë në sy. Vetëm se jo për punën në ministri, por për sasinë e gafave që prodhon. Më këtë të sotmen e ka thyer rekordin e çdo ministri të mundshëm.