Bujar Kapexhiu, “diamanti” i artit dhe i kulturës kombëtare

Nderimi nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, është para së gjithash vlerësim i arritjeve të spikatura të prof. dr. Bujar Kapexhiut në fushën e regjisurës, karikaturës e të interpretimeve të paharrueshme kinematografike, të cilat kanë karakterizuar veprimtarinë e tij profesionale të shumanshme artistike si dhe për vlerat e çmuara në edukimin, formimin dhe përgatitjen e disa brezave artistësh të rinj. Më së miri, këto arritje të këtij artisti polivalent u evidentuan në dokumentarin e regjisorit Ilir Harxhi, që u shfaq në darkën me rastin e 75-vjetorit të ditëlindjes së tij, ku mes qindra miqve ishin dhe ikona e artit skenik e kinematografik, Robert Ndrenika, shefi i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, nënkryetari i LSIsë, Luan Rama, z.Ylli Asllani-këshilltar i Presidentit Meta, Sekretari i Përgjithshëm i SHBD, Dr.Saimir Shatku – “Mjeshtër i Madh”, përfaqësues të Senatit Akademik të UET-së, etj. Një dokumentar ky, që ndonëse i realizuar në një kohë rekord, nëpërmjet fjalës artistike të skenaristit dhe intervistave të miqve të tij të shumtë, e prezanton Bujar Kapexhiun para publikut si një ikonë të artit e kulturës sonë kombëtare, të mishëruara këto në “laboratorin e tij krijues” si regjisor, skenarist dhe aktor i mirënjohur shqiptar. Kështu, miqtë dhe kolegët e vlerësojnë atë si një artist polivalent, shumëdimensional, i cili ka pasur si udhërrëfyes të krijimtarisë së tij, pse jo, edhe më gjerë, Njeriun.

Kapexhiu, që ka lindur më 22 mars 1944, studioi për aktor në shkollën e lartë pranë Teatrit Kombëtar, si edhe kursin e lartë pasuniversitar për regjisor po aty. Më 1968, filloi punë si regjisor në Teatrin e Estradës së Tiranës, ku shkroi shumë skeçe, parodi, kuplete si edhe u mor me karikaturë për organet e shtypit. Pas një periudhe dyvjeçare largimi nga Tirana, për shkak të “shfaqjeve liberale dhe moderniste” në Festivalin e 11-të të Këngës në RTSH, ku ishte autor teksti dhe konferencier, u rikthye më 1975 si regjisor dhe piktor në sektorin e sapongritur të filmit vizatimor pranë Kinostudios “Shqipëria e re”. Filmi “Shkarravinat” (1977), ku Kapexhiu krijoi vizatimet, skenarin dhe regjinë u vlerësua me çmimin e Parë të Festivalit të III të Filmit Ballkanik të organizuar në Stamboll, Turqi, 1979; me Kupën e Festivalit të III të Filmit Shqiptar, 21-28 prill 1979 si dhe me çmim në Napoli të Italisë në 1984. Deri në vitin 1985 xhiroi rreth 20 filma vizatimorë, në shumicën e të cilëve është skenarist ose bashkëskenarist, regjisor dhe piktor; mes tyre spikat edhe Pipiruku, personazhi i dashur për fëmijët i ndërtuar prej tij. “Pipiruku pret 2 miq” u vlerësua me çmim të dytë në Festivalin e VI të filmit dokumentar e vizatimor. Pas vitit ’85 iu përkushtua zhanrit të kinokomedisë, duke u shquar për individualitetin e spikatur. Në një kohë mjaft të shkurtër xhiroi katër filma artistikë: “Dy herë mat”, 1986, “Tela për violinë”, 1987, “Stolat në park”, 1988, “Edhe ashtu, edhe kështu”, 1989.

Vizionin perëndimor të tij e gjejmë të shpalosur shumë kohë përpara triumfit të demokracisë në vitet ’90-të. Në vlerësimin si interpretues me nivel të lartë artistik, do të na mjaftonte qoftë edhe vetëm filmi “Dueli i Heshtur”, kur Bujar Kapexhiu, në vitin 1967, interpretoi rolin e tij të parë në kinema, atë të një të riu të pakënaqur, që kërkon të arratiset përtej detit. Këtu na del para syve një personazh mjaft interesant, i vërtetë, me “look” perëndimor dhe ide kundërrevolucionare. Një rol shumë impresionues, në kohën kur ishim mësuar të shihnim heronj të realizmit socialist, të fortë, të paepur, me bindje të pastra… Aq mirë është mishëruar ky rol sa të duket që vetë Bujari ka qenë i tillë, njëri prej atyre njerëzve që donin të kapërcenin kufirin.

NDËR PËRFAQËSUESIT MË DINJITOZË TË BOTËS AKADEMIKE

Në harkun kohor të tri dekadave, Bujar Kapexhiu është nderuar me titujt dhe dekoratat më të larta që jepen në Republikën e Shqipërisë, që nga “Artist i Merituar” (para 30 vitesh më 1989), “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” e “Mjeshtër i Madh”, por dekorata e lartë “Nderi i kombit”, që Presidenti Meta ia akordoi në 75-vjetorin e ditëlindjes, me propozimin e shoqatës “Bashkësia Dibrane” dhe Senatit Akademik të UET, është vlerësim real dhe objektiv i kontributit të tij si artist dhe pedagog e profesor, prej më shumë se pesë dekada. Si një ndër përfaqësuesit më dinjitozë të botës akademike, prof. dr. Bujar Kapexhiu është nga themeluesit e Degës së Komunikim-Dizajnit në UET, si dhe pedagog për një kohë të gjatë, duke ndarë eksperiencën dhe dijet e tij me shumë studentë që sot janë të suksesshëm në profesionin e tyre. Këto merita në fushën akademike e shkencore gjatë ceremonisë së dhënies së dekoratës “Nderi i Kombit”, i evidentuan, jo vetëm z.Arben Cici, Drejtor i Kabinetit të Presidentit Meta, por edhe Presidenti i Universitet Europian të Tiranës, prof. dr. Adrian Civici dhe themeluesi i këtij universitetit, publicist, analisti dhe politologu i mirënjohur, Henri Çili.

“Presidenti i Republikës i jep z. Bujar Kapexhiu dekoratën “Nderi i Kombit”, në vlerësim të kontributit të tij të spikatur si artist i guximshëm me vlera të rralla, në fushën e artit pamor, në skenën dhe kinematografinë shqiptare dhe në jetën publike e mediatike”, tha ndër të tjera përfaqësuesi i Presidentit të RSH që i dorëzoi dekoratën. Ndërsa vetë Kapexhiu, mes emocionesh të këtij çasti solemn, u shpreh se: “Pa dyshim, të vlerësohet një punë e madhe, aq më tepër nga Presidenti i Republikës, është një nga nderet më të mëdha që të bëhet dhe të bën krenar e të mobilizon akoma më tepër për të punuar akoma më shumë”.

KAPEXHIU SI KARIKATURIST

Në vigjilje të 75-vjetorit të ditëlindjes së tij, Mjeshtri i Karikaturës, B.Kapexhiu, prezantoi në hollin e UET ekspozitën “Me ndërkombëtarët”, ndërsa qindra pjesëmarrësit në këtë ekspozitë, jo vetëm familjarë dhe miq të tij, por edhe politikanë, morën “dhuratë” librin e tij “Rreth e rrotull”.

Në veprat e ekspozuara në ekspozitë si dhe në këtë libër gjejmë një gërshetim veprash që kanë si subjekt jo vetën aktorët kryesorë vendas të jetës politike, por edhe ndërkombëtarët, ku thumbon, ironizon, madje guximshëm, edhe provokon me anë të krijimtarisë së tij, momente të rëndësishme, kur ndërkombëtarët mund të jenë bërë palë me “të pandëshkuarit” për aferat e tyre korruptive e kriminale.

Bujar Kapexhiu, aktori i mirënjohur shqiptar, vjen kësisoj kësaj here, për publikun, me një tjetër zhanër, me karikaturat për ndërkombëtarët. Por, siç dihet, janë qindra karikaturat e të botuara në shtypin e përditshëm që janë përmbledhur në librat e mëparshëm: “Ngërç / Për një karrige / Kthesë”.

Si Mjeshtër i vërtetë i Karikaturës, Kapexhiu është i guximshëm në ide, ndaj dhe me një sens të hollë humori ai kritikon me zgjuarsi fenomene të forta negative të jetës politike e shoqërore të vendit.

PROF. DR. BUJAR KAPEXHIU SI VEPRIMTAR SHOQËROR

Si intelektual me vlera të spikatura njerëzore dhe intelektuale, Bujar Kapexhiu, kurrsesi nuk mund të qëndrojë jashtë spektrit të veprimtarive shoqërore. Prej vitesh, ai është zgjedhur nga komuniteti dibran në Tiranë (një prej komuniteteve më të konsiderueshëm jo vetëm si numër përfaqësuesish, por edhe për intelektualë të mirënjohur), kryetar i Shoqatës “Bashkësia Dibrane”, të cilën e drejton me përkushtim e profesionalizëm.

Me talentin e tij të rrallë, por edhe me përkushtim qytetar, ai e ka vitalizuar e dinamizuar këtë shoqatë, duke e ngritur në nivelin e organizmave akademikë, për nga cilësia e produkti i veprimtarive. Për këtë flasin dhjetëra konferencat e sesionet shkencorë, promovime librash e dokumentarësh, tubimet përkujtimorë e botimet kushtuar ngjarjeve e personaliteteve të shquara dibrane që kanë luajtur rol vendimtar për fatet e kombit, që nga periudha e Skënderbeut, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, gjatë Luftës Nacionalçlirimtare e deri në ditët tona.

Ja, ky është mjeshtri i aktrimit e regjisurës, krijimtarisë letrare e artistike, pedagogu e veprimtari shoqëror B.Kapexhiu, me një bilanc mjaft pozitiv në kinematografinë shqiptare, në botën akademike e atë shoqërore të vendit.