Ekskluzive/Paloka: Vendi kalon në konflikt civil, Rama fle me antiplumb

Intervistë për “Koha Jonë”, Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka: Meta nder Ramës, po shmang situatën ekstreme. Me Ramën, nuk ka as dialog e as zgjedhje lokale

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Përballë këtij populli kemi një kryeministër që vazhdon të shfaqet cinik e arrogant por ndërkohë fle me antiplumb dhe në bunkerin e Surrelit”. Kjo fjali është e shkëputur nga intervista me nënkryetarin e PD-së, Edi Paloka, dhënë për “Koha Jonë”, ku jep “alarmin” se nëse kriza politike që ka mbërthyer vendin, nëse nuk zgjidhet shpejt “ndodh ajo që askush nuk e dëshiron; vendi kalon në konflikt civil me pasoja të paimagjinueshme”. Për “opozitën e re”, Paloka thotë se Rama po përpiqet që ti jap legjitimit surrogatove, “po e dijnë dhe ata shumë mirë që jo moralisht, po as ligjërisht nuk mund të zëvendësojë opozitën parlamentare”. Për ti dhënë zgjidhje krizës, Presidenti Ilir Meta, është shprehur se është i gatshëm për të dhënë postin dhe për Palokën, kjo është thirrje e qartë për Ramën. “Meta i bën dhe një nder duke paralajmëruar për situata ekstreme e të pakontrollueshme që mund të vijnë si pasojë e arrogancës, papërgjegjshmërisë dhe kokëfortësisë të një njeriu që për pushtetin e tij është gati të sakrifikojë këdo e gjithçka”. Zgjedhjet lokale po afrojnë por për Palokën, nuk do të ketë zgjedhje sa të jetë në qeveri Edi Rama dhe se “opozita e ka bërë të qartë që me Ramën, nuk ka as dialog e as negociata”.

Prej kohësh në vend po shohim “stinë protestash”. A po kthehet protesta në tur shëtitjesh dhe do të kemi më shumë rrethime të institucioneve kryesore në vend? Kjo qeveri duket e pa shqetësuar nga protestat në rrugë? Si do ecni përpara dhe a keni ju mjete për ta detyruar Ramën për të dhënë dorëheqjen?

Duhet t’ju kujtoj që tanimë opozita ka ndërmarrë aktin më ekstrem politik, ka djegur mandatet e saj parlamentare. Mjafton ky akt, qoftë edhe i pashoqëruar nga aksione të tjera, për ta futur vendin në një krizë politike dhe institucionale.

Praktikisht sot, sado të përdridhet, të bëj indiferentin apo dhe arrogantin; të shpallë se asgjë nuk ka ndryshuar me dorëzimin e mandateve nga opozita; të hiqet sikur gjendja është normale; të përpiqet të zëvëndësojë opozitën me ca palaco në sallën e Parlamentit; të shpallë se me “opozitën e re” do miratojë Kodin e çfarë i shkon në mend; të bëj sikur është i vendosur të hyj në zgjedhje dhe i vetëm, e di shumë mirë se nuk i shpëton dot detyrimit për ti dhënë zgjidhje politike krizës. E theksoj, kjo edhe në rastin kur nuk do të kishte asnjë aksion tjetër të opozitës e asnjë reagim qytetar. Ndërkohë ne jemi në një realitet krejt tjetër. Ato që ju i quani “shëtitje” në fakt kanë qenë protestat me të mëdha popullore të zhvilluara në Shqipëri. Kemi një popull të cilit pakënaqësia ndaj kësaj qeverie e këtij kryeministri i është kthyer në urrejtje të papërmbajtshme dhe shpërthyese. Përballë këtij populli kemi një kryeministër që vazhdon të shfaqet cinik e arrogant por ndërkohë fle me antiplumb dhe në bunkerin e Surrelit.

Një kryeministër që ka shtuar rojet për vete dhe për shërbëtorët e tij më të afërt. Një kryeministër që praktikisht ka kaluar në ilegalitet; që niset për në Shkodër e fshehtas përfundon në periferi të Durrësit; që zhduket për ditë të tëra jashtë vendit pa dhënë asnjë info se ku është e çfarë bën. Një kryeministër që kudo që shkon pritet me protesta dhe urrejtje. Një kryeministër që mban të rrethuar me tela me gjemba e me policë selinë e qeverisë dhe atë të Parlamentit. Një kryeministër që popullit të tij që kërkon bukë e drejtësi, ju përgjigjet me gaz helmues, dhunë e arrestime pa pyetur as për fëmijë e gra shtatëzëna. E pra një situatë e tillë ose zgjidhet shpejt dhe politikisht ose ndodh ajo që askush nuk e dëshiron; vendi kalon në konflikt civil me pasoja të paimagjinueshme.

Presidenti Ilir Meta ka ndërhyrë për zgjidhjen e krizës duke dhënë edhe opinionin  e tij. Si e gjykoni mundësi që ka lënë Presidenti për lënien e postit apo thirrjen që u bën palëve për dialog. A e shihni ju mundësitë për dialog në këto kushte?

Deklaratën e Presidentit Ilir Meta, në këtë situatë unë e shoh si një thirrje indirekte që i bëhet Ramës, madje më shumë direkte se sa indirekte. Meta, si njohës i mirë i politikës por dhe i situatave si kjo ku gjendemi e ku po shkojmë, duke përmendur sakrificën personale në fakt i bën jo vetëm thirrje Ramës që të sakrifikojë nga pushteti i tij për interesat e vendit por i bën dhe një nder duke paralajmëruar për situata ekstreme e të pakontrollueshme që mund të vijnë si pasojë e arrogancës, papërgjegjshmërisë dhe kokëfortësisë të një njeriu që për pushtetin e tij është gati të sakrifikojë këdo e gjithçka. Në fakt pyetja nuk shtrohet për Metën, po për Ramën: A është gati që për pushtetin të sakrifikojë dhe kokën e tij? Opozita e ka bërë të qartë që me Ramën, nuk ka as dialog e as negociata. Kjo është një e drejtë që Rama ja ka hequr vetes që me 17 majin e 2017. Sigurisht pas largimit të Ramës, zgjidhja politike nënkupton që do të vijë si rezultat i bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të të gjitha partive.

Sa e shqetësuar është PD-ja për atë që quhet “shthurje” e kandidatëve të listave, të cilët po rendin drejt Kuvendit për të zënë vendet që ju keni lënë bosh? I trembeni se zgjedhjet lokale mund të zhvillohen me këta deputetë që janë me këtë opozitë të re?

Dorëzimi i mandateve nga opozita është një akt jo vetëm politik po dhe institucional. Duke patur parasysh Kodin Zgjedhor, sipas të cilit votohet për subjektet politike dhe jo për individë ( në fletën e votimit është vetëm emri i partisë dhe kryetarit të partisë), praktikisht procesi i zëvëndësimit të mandateve, që funksionon dhe është parashikuar për rastet individuale, nuk mund të gjejë zbatim për raste si ky, të dorëzimit në bllok të mandateve pas vendimeve politike të marra nga partitë e opozitës.

Ju po e shihni se sa po lodhet Rama dhe sharlatanët rreth tij, ti japin legjitimitet surrogatove, po e dijnë dhe ata shumë mirë që jo moralisht, po as ligjërisht nuk mund të zëvendësojë opozitën parlamentare. I keni parë palacot që sipas porosive të Tao Pallës, deklarohen si “opozita e re” po që deri tani e vetmja gjë që kanë bërë në Parlament është që i kanë kërkuar ndihmë Ramës që ti mbrojë me policë nga populli opozitar, të cilin ata deklarojnë se përfaqësojnë. A jemi të shqetësuar ne për këto “rrjedhje”? Në fakt e gjithë kjo shfaqje tregon se kemi vetëm një “rrjedhje”, atë të Ramës. Duke u përpjekur të zvarrisë sa më shumë kohën duke u futur në këtë proces, të gjoja zëvëndësimit të mandateve.

Rama nuk po bën gjë tjetër veçse po përforcon faktin se pushteti i tij ngrihet mbi votat e blera. Një kryeministër që po ble deputetë surrogato, imagjinohet lehtë se çfarë ka bërë dhe bën me votën e atyre që nuk kanë bukë në shtëpi.

PS-ja ka mbledhur aleatët dhe prej kohësh flet dhe ka nisur punën për zgjedhjet lokale, madje edhe emrat për kandidatë tek bashkitë e mëdha po shkojnë drejt konfirmimeve. Opozita kërkon qeveri tranzitore, kurse PS-ja thotë se zgjedhjet lokale do të mbahen më 30 qershor. Jeni të bindur që nuk do të merrni pjesë në asnjë lloj zgjedhje?

E gjitha kjo që bën Rama është vetëm pjesë e shfaqjes se gjoja normalitetit. Sigurisht që zgjedhje do të ketë në Shqipëri dhe të gjithë duhet të përgatiten për zgjedhje. Edhe opozita po përgatitet për zgjedhje. Zgjedhje nuk do të ketë, pa u krijuar më parë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. Kushti i parë për këtë është largimi i Ramës, e më pas dënimi nga drejtësia i të gjithë atyre që rezultojnë të kapur në krime elektorale e që gjenden në dosjet 339 e 184, ministra e kriminelë bashkë. Zgjedhjet do duhet të përgatiten nga një qeveri tranzitore, e cila të ketë besimin e të gjitha palëve. Zgjedhje të tjera në këtë vend nuk mund të ketë. Rama e ka marrë një sinjal me zgjedhjet e Kavajës, e bën mirë ta kuptojë.

Partnerët ndërkombëtarë janë shprehur skeptikë për vendimin e opozitës për djegien e mandateve, duke thënë se: “Vendimi i opozitës për të djegur mandatin ndikon në rrugën drejt BE-së”. Për opozitën është prioritet rrëzimi i Kryeministrit apo integrimi i vendit në BE?

Rrëzimi i Ramës dhe Integrimi i vendit, shkojnë në të njëjtin drejtim. Ka gjashtë vite që Rama është në pushtet si kryeministër dhe përveç mashtrimeve me gjoja hapje negociatash, asnjë hap nuk është hedhur drejt Integrimit të Shqipërisë. Opozita e sotme, ndryshe nga çfarë bënte Rama kur ishte në opozitë, ka votuar çdo akt dhe ka mbështetur çdo qëndrim që lidhet me kërkesat apo kushtet për hapat e mëtejshëm të Integrimit të vendit.

Në Parlament kemi qenë dhe kemi votuar, po negociatat nuk janë hapur. Një vit më parë me ndihmën edhe të ca prej këtyre rrogtarëve që ju i fusni në kategorinë e institucioneve ndërkombëtare, Rama bërtiste se Shqipërisë ju hapën negociatat. Tani po ky takëm na thotë se po pengohet hapja e negociatave. Cilat negociata, ato që u hapën një vit më parë?! Opozita i ka kryer gjithë aktet për të mos u bërë pengesë e Integrimit, madje dhe në raste kur nuk duhej ta bënte, siç ishte e ashtuquajtura Reformë në Drejtësi që sot rezulton qartazi vetëm kapje e drejtësisë nga Rama.

Opozita nuk mund të luftojë as krimin e as korrupsionin. Nuk e renditi opozita Shqipërinë në 15 vendet më të korruptuara në botë. Nuk e riktheu pas kaq vitesh opozita Shqipërinë në vendin më të varfër të Europës. Nuk e kanabizoi opozita vendin. Nuk i futi opozita kriminelët në Kuvend. Nuk u bë opozita njësh me krimin për të blerë e grabitur votat. Nuk po i grabit opozita qytetarët e saj për të pasuruar me PPP pesë oligarkë që ndajnë paratë me Ramën. Këto janë arsyet pse Shqipërisë nuk i janë hapur dhe nuk do ti hapen përsëri negociatat dhe këtë vendet kryesore të BE-së, e kanë deklaruar rreth një muaj perpara se ne të digjnim mandatet. Pra shkaktari i bllokimit të Integrimit është vetëm një dhe është Edvin Rama, prandaj largimi i Ramës, tanimë është një nga “kushtet” për Integrimin e Shqipërisë në Europë.

Ka një teori që Rusia është e interesuar për pasiguri dhe mungesë stabiliteti në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri. A interferon protesta dhe situata politike në Shqipëri me interesat e Rusisë?

Që Rusia mund të ketë dhe ka interesa në Ballkan, kjo është e kuptueshme. Ndërkohë akuzat e Ramës dhe zaberhanëve rreth tij, se opozita apo PD-ja janë të lidhur e punojnë për interesa të Rusisë në Ballkan, tregojnë thjesht se sa i dëshpëruar është Rama.

PD-ja e cila anëtarësoi Shqipërinë në NATO dhe kërkon që në themelim të saj “Shqipëria si Europa” , punoka për interesat e Rusisë. Rama që ka rikthyer në parti gjithë pinjollët e Byrosë Politike; që puthet (politikisht) me Vuçiç, aleatin kryesor të Rusisë në Ballkan; që i ka vënë në dispozicion naftën firmave ruse të lidhura direkt me Putinin; që sa herë BE-së i kërkon të plotësojë kushtet, kërcënon se do të lidhet me “të tretët” (Rusinë), qenka ai që mbron Shqipërinë nga influenca apo ndërhyrja ruse.

E thashë më lartë, akuza të tilla ose kërkojnë të maskojnë çfarë po bën vetë Rama ose janë shenjat e dëshpërimit të një kryeministri që nuk mundet të fshehë më me propagandë, faktin që qytetarët e tij kërkojnë ta shporrin. Është në vazhden e absurditeteve të tjera si: “opozita dogji mandatet ( pra dhe imunitetin) se ka frikë nga drejtësia”, apo “opozita ka frikë nga zgjedhjet”, ndërkohë që ne kërkojmë zgjedhje të parakohshme. E keni vënë re që Rama nuk ka asnjëherë përgjegjësi vetë, gjithnjë ja kanë fajin të tjerët edhe kur i plasin skandale njëri pas tjetrit dhe kryesisht fajtorët janë mediat ose opozita. Tani ka dalë dhe armiku i jashtëm. Këtë herë e ka të kotë që përpiqet ti shmanget përgjegjësisë sepse do të japë llogari deri më një.