Mjafton ti bëni Like bojës

Nga Ylli Dylgjeri

Deputeti shqiptar sot është shumëngjyrësh. Nuk mundet që ti imponohen ngjyra kur Ai vetë e ka zgjedhur atë. Ndaj dhe këshillohet që Ai duhet ti bëjë më parë Like bojës kur sulmohet nga ngjyruesit. Ashtu sikurse bojaxhinjtë që vinë me katallogun e ngjyrave në dorë kur na lyejnë banesat dhe objektet, edhe sulmuesit e bojës duhet ti ofrojnë më parë ngjyrën Klientit Politik. Ai duhet ta pëlqejë më parë bojën e më pas të lyet me të. Jetojmë kohën e “Astirit”.

Është konstatuar deri më sot se ka një arbitraritet të madh në bojëra, paçka se i Pari i vendit njihet si specialist u tyre. Ka një çoroditje kur përzgjidhet boja nga bojaxhinjtë e derisotëm. Lyhet subjekti politik pa i marrë më parë pëlqimin! Shembujt e derisotëm tregojnë se është goditur Bashkia me bojëra të pa miratuara më parë nga Kryetari. Nëse epiteti popullor i përdorur deri më sot për të parin e Bashkisë është “Lali dhjeri”, në këtë ngjyrë duhet të përzgjidhet edhe boja që do lyhet Ai. Ose, është lyer Kryeministri në Kuvend me bojën blu! E papranueshme.

Ngjyra që ka për zemër zoti Rama tashmë njihen e janë standard kudo në jetën qytetëse. Janë ngjyrat e kuqërreme të Rilindjes. Ajo duhet të sundojë edhe në trupin e deputetit.

Për të mos shkuar më pas te lyerja me të kuqe që i bënë zotit Ralf Gjoni. E kuqja është e pa pranueshme me filozofinë e Tij Europiane, por s’qëndron as me pigmentin bjond të Tij.

Kështu pra ka ardhur koha për një rregullore, për një unifikim, për të mos vijuar me anarshinë e derisotme të ngjyrave që hidhen vend e pa vend.

Më poshtë po Ju njohim edhe me një katallog ku mund ta gjeni veten dhe ngjyrën të nderuar deputet. Mjafton ti bëni Like.