Qeveria rikthen censurën, shkarkon Ylli Dylgjerin për postimet në Facebook

Ylli Dylgjeri, gazetar i njohur, i cili prej vitesh punonte si Drejtor në Ministrinë e Financave është shkarkuar nga detyra. Motivacioni për këtë vendim nuk lidhet me asnjë bazë ligjore dhe as me detyrën e tij në administratë, por me qëndrimet e Ylli Dylgjerit në rrjetet sociale.

Lajm i shkarkimit është konfirmuar nga gazetari Ylli Dylgjeri për “Koha Jonë”.

Në një procedurë anormale, eprorët e Dylgjerit në Ministri kanë vënë në lëvizje Komisionin Disiplinor i cili ka analizuar komentet, postimet dhe reagimet që ka bërë në Facebook.

Komisioni i Disiplinës ka analizuar postimet e Dylgjerit që lidheshin me Kryeministrin Edi Rama. Konkretisht ka qenë një status ku Dylgjeri ironizonte zëvendësministrin e Jashtëm, Gent Cakaj dhe kryeministrin Edi Rama.

Procedura e ndjekur nga Ministria nuk ka asnjë bazë ligjore dhe as ndonjë rregullore etike. Administrata përgjigjet për zbatimin e ligjit në sektorin që mbulon, por jo për mendimet që shpreh në rrjetet sociale një qytetar, pavarësisht se është punonjës i administratës.

Një procedurë e tillë e ndjekur në rastin e Ylli Dylgjerit ngjan si rikthim i censurës, ku njerëzve u ndalohej të shpreheshin apo të kishin mendime kundër udhëheqjes.

Dylgjeri i përket brezit të gazetarëve të pas viteve ’90 që shquhet për ironinë dhe sarkazmën në reagimet e tij në rrjetet sociale.

Në vërejtjet e Komisionit të Displinës thuhet se Dylgjeri ka botuar shkrime në gazeta dhe media dhe gazeta. Kjo është një tjetër shkelje dhe mungesë e njohurive ligjore të drejtuesve të administratës. Ylli Dylgjeri nuk ka asnjë kontratë me median për publikimin e shkrimeve, por qëndrimet e tij janë mendime personale të hedhura në rrjetet sociale, të cilat më pas i kanë marrë mediat dhe i kanë publikuar.

Mili Xhani