Në ndjekje penale nga KLSH – 122 drejtues institucionesh në prokurori për shkelje e shpërdorime

Nga kryetarë bashkish, te titullarë apo ish-titullarë të Agjencisë së Kthimit të Pronave, hipotekave, zyrave të ALUIZNI-t, drejtues spitalesh apo entesh, ka arritur në 122 numri i drejtuesve të rangjeve të mesme dhe të larta të kallëzuar penalisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për vitin 2018.

Në total Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dërguar në prokurori vitin e shkuar 41 dosje me kallim apo indicie penale, ku 122 drejtuesit e institucioneve publikë janë vetëm një pjesë e totalit të nëpunësve të dërguar për hetim në prokurori.

TV Scan ka zbardhur raportin përfundimtar të Kontrolli të Lartë të Shtetit për vitin 2018. Bashkitë, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe drejtoritë e ALUIZNI-t janë ndër institucionet me numrin më të madh të kallëzimeve penale.

Por në listë gjenden edhe emrat e titullarëve të institucioneve me rëndësi kyç në jetën e vendit, siç është Kryetari i Entit rregullator të Energjisë, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve,  apo Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit. Kallëzim penal për vitin e shkuar është bërë edhe për ish-Kreun e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Drejtori i Portit të Vlorës si dhe disa drejtues spitalesh.