Dosja ”Tahiri”, përgjime dhe dëshmi të reja

Maks Haxhia, avokati i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, mohoi që prokuroria të ketë prova të reja kundër klientit të tij, e vërteta duket se qëndron ndryshe. Një dokument i siguruar nga A2 News, tregon se organi i akuzës ka një ”as nën mengë” me të cilin pretendon të gozhdojë pas hekurave ish-ministrin e Brendshëm.

Sipas dokumentit, përgjatë muajve prill-maj, 2016 rezulton se ish-drejtuesit më të lartë të Policisë së Vlorës, sektorit të Antitrafiqeve dhe Policisë Kufitare Dhërmi, kishin siguruar sipërfaqe toke, pyll, kullota në pronësi shtet dhe provat, në territorin e zonës administrative Vlorë, me qëllim kultivimin e kanabisit.

Gjatë kontrolleve në fshatrat Vezhdenisht dhe Treblove janë konstatuar një numër i madh parcelash të mbjella me nga 4500-5000 rrënjë secila. Lidhja mes grupit dhe policisë lokale është provuar nga përgjimet telefonike. Raportet e monitorimit nga “Guardia di Finanza” në hapësirën ajrore shqiptare rezulton se numrin më të madh të tyre e kanë në Qarkun Vlorë.

Nga transkriptimet e përgjimeve mes anëtarëve të grupit Habilaj, të kryera nga autoritet italiane rezulton se gjatë aktivitetit ata kishin mbështetjen e Tahirit, i cili ju garantonte lehtësira gjatë transportit, nëpërmjet vartësve.