Snajperistë në majë të Xhamisë, Shehu: Dikush të ngrejë zërin

Protesta e opozitës sot para Kuvendit ka detyruar Policinë e Shtetit të marrë masa shtesë për të garantuar mbarëvajtjen e seancës parlamentare.

Një pjesë e efektivëve kanë monitoruar situatën në distancë tek xhamia e ‘Namazgjasë’ me qëllim fotografimin e personave që mund të përfshiheshin në akte dhune.

Ky veprim i policisë është kritikuar ashpër nga ish-kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Tritan Shehu. Ky  i fundit shkruan se dikush duhet të ngrejë zërin për mungesën e respektit ndaj objekteve fetare, ndërsa apelon që ndaj sjelljeve të tilla duhet të nisin menjëherë hetime serioze dhe të thelluara.

“Institucionet fetare nuk janë mjedise ku shteti mund te vendose “specialiste” e mjete të sofistikuara për te përgjuar masën e njerëzve, që proteston afër tyre pikërisht kundër mos respektimit te të drejtave etj, nga qeverisja. Pamjet qe duken nga Xhamia pranë Kuvendit gjate protestës se sotme, flasin vete. Ndërsa disa dite më parë po kjo Rilindje u akuzua për tentative “futje duarsh” ne proceset e votimit pikërisht te Komunitetit Musliman.

Dikush duhet të ngrejë zërin e të protestoje për këtë mungese respekti ndaj këtyre strukturave, shpërdorim të pushtetit, qe ne realitet kështu mund t’i komprometoje edhe  ato institucione te nderuara, te besueshme e larg politikes.

Ne mënyre absolute kjo ndodhi e shëmtuar dhe e përsëritur duhet te behet objekt i një procesi hetimor serioz e te thelluar”, shkruan Shehu.