Sot seanca, Paloka: Mazhoranca sot kaloi në ilegalitet të plotë

Duke marrë shkas nga vendimi i kryeparlamentarit Gramoz Ruçi për të thirrur pasditen e sotme seancën plenare, të parashikuar për t’u mbajtur këtë të enjte, nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka ka reaguar ashpër.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Paloka theksoi se socialistët kanë kaluar në ilegalitet të plotë.

“Jo vetëm po e trajtojnë parlamentin sikur e kanë të tyrin, sot ata kanë kaluar sot në ilegalitet të plotë, teksa zhvillon seanca sipas dëshirës”, tha Paloka.

Paloka thotë se mbledhja e sotme e parlamentit është antiligjore. Në një dalje për mediat nga selia e PD, Paloka tha se Rama sot do të bëjë antimiting në Lushnje, ndërsa në Parlament çon Taulant Ballën.

Është mbledhja e një parlamenti ilegjitim që nuk përfaqëson jo shqiptarët, por nuk përfaqëson as ata që dikur mund ta kenë votuar PS. Sot ky parlament është ilegjitim. Pasi e rrethuan me tela me gjemba, pasi i salduan hyrjet në parlament, sot kanë kaluar në ilegalitet të plotë për të shpëtuar kokën e Edi Ramës. Kanë filluar mbledhin parlamentin jo vetëm sikur e kanë privat, por edhe në ilegalitet. Ndërkohë që  tjetri bën antimitingun në Lushnje, se vetë ikën, as nuk rri në parlament, dërgon Taon dhe Spiropalin në Parlament.

Ne ju kemi bërë thirrje të gjithë qytetartëve të Tiranës që sot të jenë para parlamentit dhe ne do të zhvillojmë protestën, ashtu sic e kemi deklaruar sa herë që të mblidhen dhe kudo që të mblidhen.

Banalitetet e Taos. Ne që dorëzojmë imunitetin kemi frikë nga drejtësia. Këta që fusin ligj për rritur imunitetin që mos ja dorëzojnë prokurorisë, këta nuk kanë frikë”, tha Paloka.

Për ambasadorin e BE, Luigi Soreca, Paloka kishte një përgjigje:

Protestat janë të qytetarëve. Atyre ia ka thënë njëherë Basha dhe atë duhet të ndjekin. Mos i kërkojnë shqiptarëve asgjë për të cilën nuk do e kërkonin për qytetarët e tyre”

Frika e përballjes me popullin ka bërë që mazhoranca të vendosë të mbledhë deputetët e saj në ilegalitet.

Një urdhër i lëshuar nga Edi Rama dhe i zbatuar nga Gramoz Ruçi ka bërë që parlamenti të mblidhet sot me urgjencë në orën 17:00 në mënyrë ilegale.

Pas këtij njoftimi, opozita ka organizuar një plan urgjent për protestë në orën 17:00 tek parlamenti.

Të gjitha partitë e opozitës, PD, LSI, PDIU u kanë bërë thirrje qytetarëve që tu bashkohen sot në orën 17:00 në protestë tek parlamenti.

Opozita këtë lëvizje e quajti ‘mbledhje në ilegalitet’, por kjo nuk është vetëm metaforë. Duke referuar Rregulloren e Kuvendit për pikën e mënyrës se si mblidhet Konferenca e Kryetarëve rezulton se ajo është mbledhur vërtet në ilegalitet dhe në kundërshtim me rregulloren dhe si pasojë edhe seanca e sotme është e jashtëligjshme dhe ilegale, pa thonjëza.

“Mbledhjet e Konferencës së Kryetarëve, si rregull, zhvillohen jo më herët se 48 orë nga çasti i njoftimit për mbajtjen e mbledhjes”, përcaktohet në Rregullore mënyra dhe kushtet e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.

Konferenca e Kryetarëve

‘Konferenca e Kryetarëve diskuton dhe vendos për programin e punës, kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe të komisioneve të tij, si dhe për çështje të zhvillimit të punimeve të Kuvendit në seancë plenare. Konferenca e Kryetarëve përbëhet nga Kryetari i Kuvendit, zëvendëskryetarët e Kuvendit, kryetarët e grupeve parlamentare dhe kryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare dhe drejtohet nga Kryetari i Kuvendit. Konferenca thirret nga Kryetari i Kuvendit ose me kërkesën e Këshillit të Ministrave apo të një kryetari grupi parlamentar. Në Konferencën e Kryetarëve merr pjesë edhe anëtari i Këshillit të Ministrave, i ngarkuar të mbajë lidhjet me Kuvendin.

Mbledhjet e Konferencës së Kryetarëve, si rregull, zhvillohen jo më herët se 48 orë nga çasti i njoftimit për mbajtjen e mbledhjes.

Në Konferencën e Kryetarëve shqyrtohet programi i punës dhe kalendari i punimeve të Kuvendit mbi bazën e propozimit të Kryetarit te Kuvendit. Përbërja është si vijon: Gramoz Ruçi – Kryetar Kuvendi (PS), Vasilika Hysi – Zëvendëskryetare Kuvendi (PS), Edi Paloka – Zëvendëskryetar Kuvendi (PD), Elisa Spiropali – Ministre për Marrëdhëniet me Kuvendin (PS), Taulant Balla – kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Edmond Spaho – kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Petrit Vasili – kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Fatmir Mediu – kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Republikane, Ulsi Manja – kryetar i komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut (PS), Mimi Kodheli – kryetare e komisionit për Politikën e Jashtme (PS), Genc Pollo – kryetar i komisionit për Integrimin Europian (PD), Arben Ahmetaj – kryetar i komisionit për Ekonominë dhe Financat (PS), Niko Peleshi – kryetar i komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin (PS), Albana Vokshi – kryetare e komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik (PD), Petrit Vasili – kryetar i komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë (LSI), Ermonela Felaj – kryetare e komisionit për Sigurinë Kombëtare (PS)’.