Për njerëzit që s’pëlqyen emrin e djalit të Gjikos!

Denisa Skodi

Përgjithësisht nuk jam fanse e showbiz- it shqiptar thjesht dhe vetëm për faktin se duhet të rritet dhe vetëkrijohet pa kthyer kokën e parë se ç’po ndodh në botë. Megjithatë e pranoj se një lëvizje të brendshme që ka nisur së fundmi në mesin e artistëve tanë po e admiroj vërtet shumë.

Jo më larg se mbrëmë, Elita Rudi dhe Gjiko u bënë prindër për herë të parë- në jetë erdhi një vogëlush që dyshja preferoi ta quante Zëri, Zëri Gjikolli. U trishtova pamasë kur pashë se si në mesin e komenteve nuk munguan as ato rreth përzgjedhjes së bërë. Emri u duk krejt pa kuptim dhe madje u tha se “fëmijës do t’i vijë turp kur të rritet dhe se janë ende në kohë për ta ndryshuar.” Pa u ndalur ende këtu, më lejoni t’ju kujtoj se një emër të tillë, po kaq shqiptar zgjodhën edhe Besart Kallaku me Xhensila Myrtezajn për të bijën, Ajkën apo Mozzik- u me Loredanën, prindër të Hanës (Hana-hëna). Alban Dudushi dhe Bieta Sulo ndoqën të njëjtën linjë, të birit ia vunë emrin Kroi Art; kroi i dashurisë dhe një vepër arti.

Rikthehemi te shqiptari më i ri i Kosovës, Zëri. Përgjatë viteve jemi bërë copash për të qenë si të tjerët, për t’u evropianizuar, amerikanizuar e për të mos dalluar se kush jemi. Dëshira për të treguar mirëqenie, emancipim dhe ecje me hapin e kohës na është kthyer kundër, identiteti ynë është sot në pikë të hallit. Nuk besoj se i duhet futur me kokë historisë apo ndyrë rreshtat me politikën për të vërtetuar gjithë këtë. Një gjë e argumenton shumë mirë, kur e shpjegon ashtu, fare thjesht. Një marrëzi kolektive i ka pushtuar shqiptarët ndër dekada për t’u dhënë fëmijëve emra anglezë, spanjollë, mundësisht porto rikanë e vetëm shqiptarë jo. Dhe kur dikush e bën tingëllon shëmtuar.

Është një logjikë që duhet të shkojë përtej patriotizmave klishe apo të cekëta; është një lidhje, janë disa rrënjë që s’mund të injorohen kurrsesi. Dëgjoj kushedi sa fëmijë që thirren jo me emrat e tokës sonë. Vras mendjen kaq e varfër është shqipja, kaq pak e doni gjuhën që e flisni për çdo ditë, sa herë trembeni në gjumë, shani, luteni apo vriteni dhe kërkoni mamanë. Çfarë ju tërheq kaq shumë te Xhenifer apo Brendon?

Nuk jam këtu për të thënë se njeriu s’mund të tundohet nga një emër i bukur, jo shqiptar. Le të ndodhë, fundja një pjesë e tillë do të jetë e pranishme gjithmonë, s’mund të ndalet. Ajo që më vret është kthimi në tendencë nga masa e gjerë dhe vënia e kushtit për një emër të huaj medoemos. Personalisht do të jem gjithmonë e mendimit se Allison vështirë se i shkon një vogëlusheje të lindur në Durrës, edukuar nga gjyshi dibran dhe gjyshja mallakastriote, me prindër të dashuruar në Tiranë. Allison nuk thotë asgjë! Më besoni, Blin apo Yll tregojnë më shumë. Do të preferoja ta quaja djalin tim Zëri, kështu që kudo shkoftë të mund t’u tregojë se në gjuhën mëmë të tij nënkupton tërësi tingujsh. Kur e mendon është shumë më cool se Xhejson apo Rajan. Sa mirë, që të paktën pas muzikës as 1/8 shqiptare fshihen qëllime kaq të fisshme. Një pikë plus për VIP- at tanë!