Burgjet në vend janë mbushur me trafikantë

Në burgjet shqiptare ndodhen aktualisht 5.460 persona, të dënuar apo që presin të marrin dënimin. Të dhënat e publikuara një vit më parë nga ”World Prison Brief”, referuar Ministrisë së Drejtësisë, tregojnë se rreth 5320 janë burra dhe 100 gra. Shumica e të burgosurve, rreth 1600 prej tyre janë për veprën penale të trafikim dhe shitje droge. Kjo edhe për shkak të fenomenit të kultimivit të kanabisit në vend dhe operacioneve të zhvilluara në vitin 2016 që u shoqëruan me rritje të numrit të të arrestuarve për këtë krim. Edhe në paraburgim, trafikantet zënë numrin më të madh.

Në institucionin e paraburgimit 313 ndodhen rreth 350 të paraburgosur, shumica e tyre janë për trafikim lëndësh narkotike, në vend të dytë për grup të strukturuar kriminal, për kalim të paligjshëm të kufirit, për dhunë brenda familjes.

Në shkallë vendi, të dytët për nga numri janë të dënuarit për vjedhje, me mbi 1 mijë. Për vrasje dhe krime seksuale janë dënuar 992 të burgosur, edhe pse numri të burgosurve për vrasje ka pësuar rënie.

Vetëm për vitin 2018 në vend u regjistruan 114 autorë për dhunë seksuale. “World Prison Brief”, organizata që merret me të dhënat për sistemin e burgjeve në botë, raporton se vendi ynë bën pjesë në listën e shteteve që i ka të tejmbushura burgjet, me një kapacitet 106 %. Për shkak të amnistisë në vitin 2017, rreth 700 të burgosur rifituan lirinë.