Basha për RAI-n: Qytetarët kërkojnë largimin e Ramës se ai i vodhi

Televizioni italian RAI ka transmetuar një intervistë të liderit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhënë gazetares Laura Tangherlini, një ditë para protestës kombëtare përpara parlamentit.

Në intervistën në vijim, gazetarja shpjegon paraprakisht se në Shqipëri, një protestë e madhe është thirrur nga partitë e opozitës për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të reja, pas protestave dhe përleshjeve që ndodhën të shtunën e kaluar.

Intervista e plotë në videon, ku kryetari i opozitës Lulzim Basha, shpjegon arsyet e kësaj revolte të fuqishme popullore, nxitur nga bashkëpunimi i dukshëm i qeverisë me krimin.

Basha: Ajo që dëmton imazhin e Shqipërisë, ajo që e mban peng fatin e saj drejt Bashkimit Europian është korrupsioni i lartë dhe lidhja mes krimit të organizuar dhe qeverisë. Lidhje kjo që ka kompromentuar edhe zgjedhjet falë bashkëpunimit me mafian, e cila u vjedh paratë shqiptarëve duke ia dhënë një grushti oligarkësh. Ky është një akt ekstrem, ne nuk presim falënderime, por kjo është një kambanë alarmi. Ne kërkojmë vetëm një gjë: standardet e vlerave të demokracive evropiane dhe amerikane. Kudo në Europë, apo në vende të tjera demokratike, kur një kryeministër dhe qeveria e tij kur kapen në flagrancë nga drejtësia duke vjedhur votat në bashkëpunim me elekmentët kriminalë, dhe kjo është transmetuar publikisht në mediat ndërkombëtare, atëherë ajo qeveri duhet të largohet dhe përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë.

Gazetarja: Ajo e së enjtes do të jetë një protestë e dhunshme?

Basha: Ne nuk kemi kërkuar asnjëherë ushtrim të dhunës në protestë, por kemi kërkuar protesta demokratike paqësore. Situata në vend është shumë e rëndë: ka shumë papunësi, ka varfëri të madhe në të gjithë vendin. Dhe kjo situatë i ka revoltuar qytetarët, të cilët tashmë e dinë se arsyeja e varfërisë së tyre nuk është fakti se vendi është i varfër, por sepse vendi dhe vetë populli janë grabitur.

Gazetarja: sa i përket çështjes së Lefter Kokës, i cili nuk bën pjesë tek grupi i deputetëve që kanë djegur mandatin, edhe pse nuk është pjesë e partisë tuaj, por që gjithsesi është i partisë kryesore aleate opozitare, i cili ka deklaruar se nuk ka ndërmend ta dorëzojë mandatin, sa ndikon kjo tek opozita?

Basha: Kjo dëshmon vetëm faktin se Rama përdor shantazhin dhe korrupsionin për të blerë dhe intimiduar pjesëtarët e opozitës. Kjo dëshmon vetëm faktin e qartë se sa demokracia dhe parlamenti nuk janë funksionalë në këtë moment në Shqipëri.

Gazetarja: Ju keni takuar ambasadoren gjermane, dhe përfaqësuesit e BE-së, për çfarë kanë shërbyer këto takime, çfarë keni diskutuar?

Basha: Mesazhi im për të gjithë miqtë e Shqipërisë është shumë i qartë dhe i thjeshtë: Kjo është një parti që është themeluar mbi ëndrrën për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, dhe ne luftojmë për vlerat euroapine, luftojmë për demokracinë, për pavarësinë e pushteteve, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pa këto rezultate nuk ka të ardhme evropiane, nuk ka të ardhme për vendin tim. Unë i kërkoj miqve ndërkombëtarë që kjo masë ekstreme për djegie të mandateve është ndërmarrë në kushte ekstreme dhe unë i kërkoj atyre që të mos kërkojnë diçka që populli shqiptar nuk do ta pranojë kurrë.

Gazetarja: Shumë njerëz thonë që kjo është një histori që po përsëritet. Edhe në vitin 2017 u zhvilluan shumë protesta, dhe në fund pati një marrëveshje mes jush dhe Edi Ramës. Dhje në këtë kuptim, të njëjtët persona thonë se do të përsëritet e njëjta gjë edhe tani. Është kështu?

Basha: Jo. Dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë: sepse Rama nuk e ka respektuar asnjëherë atë marrëveshje. Rama është akuzuar nga Prokuroria shqiptare përmes videove të publikuara në mediat ndërkombëtare ku ai dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë bëjnë pazare me krimin e organizuar për të intimiduar zgjedhësit dhe për të blerë vota, të cilat kanë krijuar një Parlament që nuk është rezultat i vullnetit të popullit, por një rezultat i krimit të organizuar.

Përktheu: Herion Mesi –Koha Jonë

KLIKONI KETU PER VIDEON: Albania, il leader del partito democratico: collusione tra criminalità e governo