A ndikon kriza në çeljen e negociatave me BE? Ceka: Vendimi është marrë

Ish-politikani Neritan Ceka, i ftuar në “Top Talk” u pyet nëse kriza aktuale politike mund të ndikojë në çeljen e negociatave me BE. Sipas tij, s’ka asnjë ndikim pasi vendimi ëhstë marrë me kohë.

“Kjo nuk ndikon dhe të jeni të sigurtë, sepse unë besoj që vendimi është marrë me kohë. Edhe pa këto ngjarje, Shqipëria nuk do të çelë negociatat me BE-në. Kjo gjendje nuk ndikon, por kjo do të thotë që ky shtet po përgatitet, por nuk është ende gati. Këtu ka edhe faktorë të tjerë që kanë ndikuar negativisht, si paternalizmi i atyre që ne i quajmë ‘të huajt’. Ky ka qenë në përgjithësi frenues dhe jo pozitiv, sepse është ushtruar në pikëpamjen që të jemi një shtet normal…”, tha Ceka, i cili gjithsesi nuk pranoi ta quante Shqipërinë një shtet vasal.

“Nuk mund ta them vasal, por do të ishte më mirë kështu, se ç’jemi aktualisht. Por le të themi që jemi një shtet në mbikëqyrje, që monitorohet dhe nuk konsiderohet ende i karakterit europian. Nëse do të ketë një klasifikim, ne vijmë pas Maqedonisë së Veriut dhe, shumë vende prapa edhe sesa Mali i Zi. Jam i sigurtë se do të ishim edhe prapa Kosovës, po të mos kishte problemet aktuale me Serbinë. Nëse vendet e rajonit janë nën monitorimin e drejtpërdrejtë të niveleve më të larta europiane, ne jemi nën monitorimin e nëpunësve të kategorisë së mesme ose të ulët të BE-së”, shpjegoi Ceka.