Shqiptarët kanë uri për bukë dhe etje për shpresë

Bledar Kurti
Bledar Kurti

Nga Bledar Kurti –

Kur populli i Parisit u revoltua për shkak të varfërisë ekstreme, mbretëresha e ardhshme Marie Antoinette u përgjigj; “Nuk kanë bukë? Atëherë le të hanë kek.” Dhe kjo thënie nuk ishte aspak me ironi, por borgjezia franceze e kohës as që ia kishte idenë se njerëzit ishin të uritur dhe e kishin barkun bosh.
Edhe sot, borgjezia jonë moderne shqiptare as që e ka idenë se në çfarë varfërie ekstreme dhe skamje të madhe është zhytur vendi. Madje me arrogancën e saj ajo ndihet e ofenduar që ka një popull kaq arkaik e të pagdhendur që mendon për gjëra kaq minimale si buka e përditshme e jo për koncepte luksi post-moderniste. Borgjezët tanë ndihen si shtetarë elitarë e bohemianë të kultivuar nga arti i tenderave dhe para-bërjes dhe rafinimi i tyre artistik e sharmant fatkeqësisht nuk mund të shpaloset mbi këtë popull të varfër e provincial. Me një mendjemadhësi të pështirë ata e konsiderojnë veten kaq të pafatë që me veçantinë e tyre të përmasave botërore sundojnë mbi një popull të vogël e mendjengushtë që s’e meriton gjenialitetin dhe vizionin e tyre elitar.
“Le të hanë kek,” tha Marie Antoinette, dhe koka i përfundoi në gijotinë nga zemërimi i popullit të uritur, ndaj çdo shtetar borgjez modern nuk duhet të çuditet nga rrënimi i pritshëm politik, nga largimi prej pushtetit e karriges së privilegjeve vetëm për shkak të skamjes së popullit të vet.
Vargu më i njohur dhe rrënqethës tek Komedia Hyjnore e Dante Alighieri ka të bëjë pikërisht me urinë. “Ma e fortë se dhimbja ish uria,” shkroi Dante. Shqiptarët kanë uri. Jetojmë në një vend të uritur. Kjo fjalë ishte shuar prej vitesh nga fjalori popullor por për turpin e politikës është kthyer përsëri. Dhe, cilido që e ka provuar urinë nuk gjykon kurrë nëse njerëzit protestojnë e ulërasin nëpër rrugë e bulevarde, ndërkohë që derrat e kënaqur drejtojnë gjithmonë gishtin ndaj të shtypurve në emër të progresit.
Kurrë më parë në këtë vend nuk ka patur kaq arrogancë, mburrje e kryelartësi në qeverisje. Edhe në kapitujt më të errët të historisë së këtij vendi asnjë qeveri nuk i ka drejtuar gishtin popullit duke e akuzuar se nuk ka sy të shikojë e mendje të kuptojë. Arroganca nga njëra anë dhe uria nga ana tjetër janë përballur shpeshherë në histori dhe rezultati ka qenë gjithmonë gjakatar. Mos lejoni të derdhet gjak shqiptari e të mos ndrydhet as edhe një ëndërr dhe shpresë e brezit të ri. Mësoni nga historia dhe shuajeni urinë e popullit që drejtoni. Dhe bëni atë që duhet të bëjë çdo shtetar i përgjegjshëm: të dëgjojë britmën e vuajtjes së një kombi dhe të lexojë siç duhet dëshirën e 60% të shqiptarëve për t’u arratisur nga ky vend, jo prej standardeve më moderne e prirjeve kozmopolitane, por vetëm prej urisë.
Shqipëria sot gjendet në një depresion politik, ekonomik e social, ndaj edhe kundërpërgjigja qytetare është e paparashikueshme. Askush nuk duhet të mbështesë dhunën dhe vandalizmin, por disa zëra mund të argumentojnë se më vandalë sesa ata që thyejnë xhama janë të privilegjuarit që fshihen dhe nisin të gjykojnë duke parë në shtëpi nga xhami i televizorit apo përtej xhamave të kafeneve. Një tjetër mund t’i etiketojë protestat si injorancë por mosdija më e madhe e asaj minorance të qytetarisë së ngopur është se nuk arrin të kuptojë dot forcën e një populli të uritur për bukë dhe të etur për shpresë.
Një shtëpi e ndarë nuk mund të qëndrojë dot në këmbë. Ky vend nuk mund të vazhdojë më me pasuri përrallore në njërën anë dhe me uri ekstreme në anën tjetër. Nëse kjo shtëpi rrëzohet ne të gjithë rrëzohemi, por nëse e ndërtojmë siç duhet ne të gjithë ngrihemi. Ne rrëzohemi së bashku dhe ngrihemi së bashku, si një popull, si një komb.