Zbardhet raporti i Antimafias: Organizatat kriminale shqiptare më aktivet në Itali

Ora News ka mundur të sigurojë ekskluzivisht raportin e fundit të Departamentit të Antimafias Italiane, DIA,  të sapo prezantuar në Parlamentin Italian me të dhënat e gjashtëmujorit e parë të vitit 2018 mbi aktivitetin kriminal të mafies italiane e të grupeve kriminale të huaja mes të cilëve dhe atyre shqiptare në territorin italian.

Krimit shqiptar në Itali i dedikohet një kapitull më vete në raportin e Antimafias italiane ku shkruhet “siç është raportuar dhe në gjashtëmujorin e  mëparshëm, shqiptarët janë organizimet kriminale të huaja ndër më aktivet e më të degëzuara në territorin italian.”

“Rekrutimi i vazhdueshëm i të rinjve është një simptomë e aftësisë së tyre për të shtuar radhët e grupimeve kriminale, e sjellja e dhunshme që i  karakterizon  përdoret jo vetëm për qëllime kriminale por dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes grupeve”, thuhet në këtë raport.

Trafiku i lëndëve narkotike mbetet aktiviteti kryesor i krimit të organizuar shqiptar në Itali. Gjatë gjashtëmujorit të dytë të 2018 janë ekzekutuar mjaft operacione që kanë çuar në arrestimin e shumë shtetasve shqiptarë si dhe në sekuestrimin e sasive të mëdha të drogës.

Antimafia italiane thotë se Shqipëria prodhoi e eksportoi një sasi të konsiderueshme të marijuanës në Itali e destinuar të shpërndahet më pas në të gjithë Evropën.

Në të njëjtën kohë, raporton Antimafia italiane, Shqipëria është vendi tranzit i heroinës së prodhuar në Azinë Qendrore e Afganistan.

Të shumtë janë kriminelët shqiptarë që janë vendosur prej shumë vitesh në Itali e kryesisht në zonën e Salentos.

Antimafia italiane i cilëson shqiptarët si ekspertë për transportimin përmes detit me anë të mjeteve të fuqishme lundruese të sasive të mëdha marijuane që më pas shpërndahet në të gjitha rajonet italiane e sidomos në Puglia.

I tillë qe operacioni i ekzekutuar në 16 shkurt të 2018 i cili çoi në sekuestrimin e 178 kg marijuanë e arrestimin e 3 skafistëve, 2 shqiptarë e 1 italian, apo operacioni  i 1 janarit 2018 ku në Meledugno në provincën e Brindizit u kap skafi me mbi 1700 kg marijuanë, 1 kallashnikov, 2 karikatorë e 60 fishekë.

Për antimafian italianë  grupet kriminale shqiptare janë degëzuar fuqishëm në të gjithë Italinë e kanë aftësinë të trafikojnë drogë  përmes Italisë drejt vendeve të tjera të Evropës siç dëshmojnë dhe operacioni “Rexton” i ekzekutuar nga Policia e Bolonjës , Milanos e Leços, ku u ekzekutuan mbi 50 urdhra arrestimi të shtetasve shqiptarë e marokenë e u shkatërruan dy organizata kriminale , të cilët trafikonin rreth 300 kg marijuanë në muaj e 1 kg kokainë të  pastër në javë.

Apo dhe dy operacionet e koduar “Orange ” e “Nadir” që shkatërruan nëj trafik droge mes Italisë e Holandës e Spanjës për llogari të trafikantëve shqiptarë.

Hetimet e Antimafias italaine kanë zbardhur  sesi grupimet kriminale shqiptare në Itali kanë marrëdhënie fitimprurëse në trafikun e drogës me mafian italiane sidomos me atë pulieze e me klanet mafioze kalabreze.

Raporti i Antimafias italiane thekson lidhjen e ngushtë të kriminalitetit shqiptar me rajonet në jug të Italisë, në veçanti me Kalabrinëe Puglian.

Këtë fakt e vërteton operacioni “Bogotá” që zbardhi bashkëpunimin mes shqiptarëve e mafies puglieze në trafikun e marijuanës  e kokainës me degëzime në Holandë e Gjermani. Apo dhe operacioni i koduar “Stammer 2- Melina” i cili shkatërroj një organizimi kriminal bashkëpunimi mes shqiptarëve dhe mafias kalabreze Ndrangheta duke trafikuar mbi 5 tonë marijuanë nga Shqipëria me një vlerë përfitimi prej 10 milionë euro.

Një tjetër operacion i Antimafias Italiane i koduar Affari di Famiglia çoi në shkatërrimin e një celule kriminale shqiptare me bazë në Romë e degë në Shqipëri, Holandë e Belgjikë e që trafikonte kokainë me vendet e Ulëta.

Sipas Antimafias Italiane problemi i plantacioneve me marijuanë në Shqipëri e e i trafikimit të saj ka çuar në aktivizimin e Planit Kombëtar Antikanabis 2018 -2020 ku autoritetet shqiptarë kanë kërkuar ndihmën e ekspertëve italianë për identifikimin e plantacioneve me marijaunë me anë tre monitorimit ë zonave të thella me anë të aeroplanëve, dronëve e helikopterëve.

Një tjetër aktivitet fitimprurës për krimin shqiptar në Itali është ai i shfrytëzimit të porstitucionit. Gjatë operacionit të koduar “Tregtar në Fier” Policia e Milanos mundi të shkatërroj një grup kriminal shqiptar të cilët në bashkëpunim me një grup kriminal rumunë trafikonin e shfrytëzonin për prostitucion vajza nga Evropa e Lindjes, e gjithashtu merreshin dhe me trafikun e drogës.

Sipas DIA italiane aktiviteti kryesor i veprimit të kriminalitetit shqiptar në Itali i cili shpesh kryhet në bashkëpunim mes italianëve e organizata kriminale të huaja vazhdon të mbetet; trafiku i lëndëve narkotike, shfrytëzim prostitucioni e krimi kundër pronës.

Në krimin kundër pronës është verifikuar dhe bashkëpunimi mes shqiptarëve dhe shtetasve rumunë si e dëshmon operacioni i ekzekutuar në qershor të 2018 në komunën Stradella të Pavias e i koduar “Vampiri”, ku u arrestuan 9 shqiptarë, 8 rumunë, 3 moldavë 1 kosovarë, 2 italianë të akuzuar për mbi 70 grabitje të dhunshme me armë.

“Karakteri transkombëtar i veprimtarisë së grupeve kriminale shqiptare në Itali, shumëllojshmëria e aktivitetit të tyre të paligjshëm, burimet financiare  zotërimi i armëve, e kanë bërë krimin shqiptar në Itali si një nga format kriminale me marrëdhënie më të qëndrueshme e të frytshme me organizatat mafioze italiane”, thuhet në raportin e Antimafias italiane.