SHBA janë me ju, por duhet vullnet politik kundër krimit

Nga Leyla Moses-Ones*

I dashur ministër Lleshaj, Drejtor i Policisë Veliu, Ambasador Soreca, të ftuar dhe pjesëmarrës të nderuar: Dua ta filloj duke falënderuar ministrin Lleshaj për ftesën për të folur sot për këtë temë shumë të rëndësishme.

Lufta kundër drogave të paligjshme nuk është thjesht një fushatë – është një kauzë për demokracinë. Është shfaqja e forcës për sundimin e ligjit, përpjekjet kundër korrupsionit dhe reformën në drejtësi.

Dhe ndërsa mblidhemi sot për të shënuar luftën kundër prodhimit të kanabisit, dua të vlerësoj punën e madhe të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe të të gjithë elementeve ligjzbatuese të qeverisë shqiptare që janë të përkushtuar ndaj kësaj kauze – për progresin e rëndësishëm në zvogëlimin e kultivimit të kanabisit.

Dua të sjell veçanërisht në vëmendje përpjekjet e Policisë së Shtetit Shqiptar që po lufton për sundimin e ligjit. Policia e Shtetit Shqiptar ka qenë pararojë në këtë përpjekje shumëkombëshe për të zvogëluar sasinë e kanabisit prodhuar brenda kufijve të Shqipërisë.

Dhe, kjo përpjekje, nuk ka qenë e lehtë. Për shkak të largësisë të shumë prej plantacioneve të kanabisit, oficerët e policisë kanë marshur në këmbë për distanca të largëta, në kushte të këqija moti, duke mbajtur mbi shpinë paketa pajisjesh 28 kilogramëshe për shkatërrimin e bimëve, që të përmbushnin misionin e tyre. Megjithatë, këta oficerë të përkushtuar kanë punuar pa pushim për të ndalur prodhimin që në burim të saj. Gjatë bashkëpunimit me shërbimet informative ndërkombëtare të rëndësishme dhe të kontrolleve të qenësishme nga ajri dhe të imazheve fotografike nga Guardia di Finanza italiane, janë bërë hapa të mëdhenj si në ndalimin e prodhimit, ashtu edhe për kapjen e produktit. Jam e mendimit se të gjithë mund ta pranojmë se është më e vështirë të kultivosh dhe të trafikosh kanabis në Shqipëri sot, sesa ka qenë madje edhe dy vjet më parë. Por:

FITIMI I NJË BETEJE NUK NËNKUPTON QË KEMI FITUAR LUFTËN – LUFTA DUHET TË VAZHDOJË: Kultivimi dhe lëvizja e kanabisit janë vetëm një pjesë e problemit. Tani, duhet të vendosen pengesa më të forta për të ndaluar që trafikantët e drogës ta shohin Shqipërinë si një mjedis lejues për aktivitetin e tyre të paligjshëm. Ky është vendi ku ruajtja e vrullit të reformës në drejtësi është jetike. Trafikantët e drogës duhet të përballen me zinxhirin e plotë të drejtësisë – arrestim, procedim penal i drejtë dhe dënimi i duhur me burgim. Njerëzit që drejtojnë këto rrjete duhet të frikësohen. Kapja e Klement Balilit, Arbër Çekajt dhe Met Kananit duhet të shërbejnë si gurë kilometrazhi në këtë përpjekje afatgjatë. Tani është në dorën e prokurorëve dhe të gjykatave.

Dhe, të vullnetit politik.

NE NUK MUND TA DUAM KËTË MË SHUMË SE JU. Shtetet e Bashkuara janë me ju, por ne varemi nga vullneti juaj politik dhe guximi juaj i vazhdueshëm për të vijuar luftën e mirë për demokracinë dhe shtetin ligjor. Ne do të vazhdojmë të mbështesim në mënyrë aktive krijimin e SPAK-ut dhe të BKH-së për të siguruar që politika të mos luajë më një rol në mbështetjen e këtij aktivitetit të paligjshëm dhe as të mos përmbysë peshoren e drejtësisë në interes të kriminelëve.

Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë në këtë luftë, sepse kultivimi i paligjshëm i drogës, përdorimi dhe trafikimi përbën një kërcënim domethënës për sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky prodhon para të pista që furnizojnë krimin e organizuar ndërkombëtar, duke trimëruar gangsterët, të cilët më pas mund ta dobësojnë demokracinë përmes ushtrimit të ndikimit social dhe politik.

NE DUHET TË NDJEKIM PARATË E PISTA: Duhet të dërgojmë një mesazh të qartë se Shqipëria nuk është dhe nuk do të jetë kurrë një mjedis që lejon veprimtari të paligjshme kriminale. Ulja e prodhimit dhe bërja e arrestimeve duhet të pasohet nga sekuestrim pasurish dhe dënime të përshtatshme për parandalimin e tyre. Pakësimi i prodhimit të kanabisit është një fillim i shkëlqyer për të trajtuar rolin më të madh të Shqipërisë në trafikimin e narkotikëve, por sulmimi i pastrimit të parave dhe të të ardhurave monetare përftuar nga trafikimi i heroinës dhe i kokainës në Evropën Perëndimore, është hapi tjetër i rëndësishëm.

I përgëzoj të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë luftë për demokracinë dhe për sundimin e ligjit — dhe për luftën e mirë për të ardhmen e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Shtetet e Bashkuara ju falënderojnë për përkushtimin dhe guximin tuaj, për aftësitë tuaja dhe për sakrificën tuaj.

*Fjalimi i të ngarkuarës me punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, në Aktivitetin për Përparimin në Luftën kundër Kanabisit