“Vendi në kolaps”, Çupi për KJ: Largimi i qeverisë me çdo mjet, 16 shkurti mision historik

Intervistoi: Redjon Shtylla

“E vetmja mënyrë për të dalë nga ky kolaps ku është futur vendi është largimi i kësaj qeverie përmes protestave apo çdo lloj mjeti tjetër demokratik, krijimi i një qeverie tranzitore dhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme me kushtin themelor që zgjedhjet të jenë të lira e të vendosë vullneti i qytetarëve”. Kjo është rruga që PD-ja ka dhe në një intervistë për “Koha Jonë”, deputetja e PD-së, njëherësh edhe anëtarja më e re e Kryesisë, Dhurata Çupi bën me dije se protesta e 16 shkurtit, është mision historik për vendin dhe të ardhmen e fëmijëve. Si deputete e qarkut të Dibrës, e quan lojë anullimin që qeveria i bëri koncesionit të Llixhave. “Nëse nuk do të kishte zhurmë nga qytetarët ata do të bënin sikur e anullonin, në të kundërt do vazhdonin me projektet korruptive të tyre. Ashtu si abuzimet me fondet, me pasuritë e tjera natyrore të Dibrës, ashtu në mënyrë tinëzare u sollën edhe me çështjen e Llixhave. Vetë e miratuan, vetë provokuan mijëra banorë të cilët u sensibilizuan për këtë aferë dhe në fund sillen si shpëtimtarë”. Çupi ka reaguar ashpër për ngjarjen në Kavajë dhe siç thotë, “nëse nuk marrim masa dhe nuk njohim përgjegjësitë, natyrshem duhet pritur që mungesa e masave shtrënguese do sjellë përsëritje”.

Si deputete e PD-së për qarkun e Dibrës, pse duhen të jenë qytetarët e këtij qarku në protestën e madhe të 16 shkurtit në Tiranë? A do të jetë manifestim? Protestë? Revoltë? A ka një skenar opozita se kur do të nis protesta dhe si do të organizohen protestuesit apo u është lënë në dorë qytetarëve?       

Siç e kemi deklaruar, këto ditë do të jetë protestë, revoltë nga të gjithë shqiptarët e nëpërkëmbur nga kjo qeveri. Qarku Dibër më shumë se çdo zonë tjetër, ka arsye të forta të revoltës ndaj mungesës se prezencës me përkujdesje, me investime, me politika zhvillimi nga kjo mazhorancë. Dëshpëruese është varfëria e mjerimi që gjenden në çdo cep të Dibrës. Prandaj dibranët dhe e gjithë Shqipëria janë të ngopur me padrejtësitë e kësaj qeverie që varfëron qytetarët e pasuron klientët e vet. Në 6 vite nuk gjendet të jetë ndërtuar një cerdhe, një shkollë apo një rrugë. Rruga kombëtare Milot-Peshkopi është në gjendje mjerane, po ashtu gjendja e spitaleve është katastrofe, si dhe ajo e shkollave është për turp. Qarku Dibër tashmë ka marrë vulën e kësaj qeverie si qarku më i varfër në vend. E këto janë vetëm disa arsye por të mjaftueshme për të mos heshtur e për t’iu bashkuar zërit të revoltës popullore ndaj kësaj qeverie e këtij kryeministri.

Qeveria përmes kordinatores së saj Olta Xhaçka, ka nisur një fushatë disi të çuditshme, ku po “shitet” anullimi i koncesionit të Llixhave, a thua sikur është përfunduar “Rruga e Arbrit”, në një kohë që është po kjo qeveri që ka dhënë koncesionin e Llixhave. Në fakt çfarë po ndodh me këto dy projekte?

Kjo është qesharake dhe e pakuptimtë. Një ministre që nuk e ka në përshkrimin e përgjegjësisë të ministrisë që e drejton, vendos të anullojë vendime apo të merret me këtë çështje. Ky është absurditet. Dibranët dinë të dallojnë propagandën e talljen nga serioziteti dhe respekti. Vendimin për Llixhat nuk e mori opozita por këta qeveritarë. Duket loja e ndyrë e tyre. Nëse nuk do të kishte zhurmë nga qytetarët ata do të bënin sikur e anullonin, në të kundërt do vazhdonin me projektet korruptive të tyre. Ashtu si abuzimet me fondet, me pasuritë e tjera natyrore të Dibrës, ashtu në mënyrë tinëzare u sollën edhe me çështjen e Llixhave. Vetë e miratuan, vetë provokuan mijëra banorë të cilët u sensibilizuan për këtë aferë dhe në fund sillen si shpëtimtarë. Turp. Dibranët njihen si zona e mençur dhe nuk mundët të jesh as ministre që tua hedhësh. Ishte deputeti i PD-së, z.Xhemal Gjunkshi ai që ju doli në mbrojtje interesave të komunitetit dibran dhe ia arriti të ndikojë në anullimin e këtij vendimi.

Zëri i Amerikës, në përgjimet e fundit që publikoi trajtoi çështjen e shit-blerjes dhe përfshirjes së elementëve kriminalë në zgjedhjet në të paktën 4 qarqe, ku njëri prej tyre ishte dhe Dibra. Sa të vërteta ka në këto përgjime dhe çfarë masash po merr opozita për mbrojtjen e votës së dibrave në zgjedhjet e ardhshme?

Dibra ka qenë një nga qarqet që ne si opozitë e kemi denoncuar që në ditët e para pas zgjedhjeve për këtë çështje që ju po parashtroni. Këtë shqetësim, unë e kam ngritur edhe gjatë fushatës elektorale. Sot në Shqiperi qeverisin abuzuesit me votën e sovranit dhe kjo është e rëndë dhe e patolerueshme për një demokraci. Blenë dhe shiten vota, premtuan vende pune e kontrata disa mujore. Ata me gjithë përpjekjet e tyre kriminale për të mbuluar këto afera të rënda për demokracinë, nuk ia hodhën dot pa lënë shenja e prova. Dibranët sot dinë të dallojnë përfaqësuesit e tyre të dalë me votën e lirë dhe hajdutët e lirisë së tyre. Vetëm numërimi i votës sovrane do ta çlirojë vendin nga kapja e madhe korruptive, abuzuese dhe denigruese. Vetëm me zgjedhje të lira e të ndershme, Partia Demokratike e z.Basha është fituese dhe ka mbështetjen e gjerë qytetare dhe ne nuk do te ndalemi deri sa ti sigurojmë këto zgjedhje të lira.

Znj.Çupi, si anëtare e re e Kryesisë së PD-së, si i keni pritur kritikat jo për ju por për këtë numër të vogël anëtarësh në Kryesinë e re të PD-së, që janë bashkëpunëtorë të z.Basha?

PD-ja ka përmbyllur ristrukturimin nga seksioni më i vogël deri në kryesinë e PD-së. Kjo është tashmë një procedurë që zbatohet dhe aplikohet vetëm në partinë tonë. Ky është një standart i vendosur vetëm nga z.Basha dhe vetëm nga Partia Demokratike në politikën Shqiptare. Vota e lirë, transparente dhe e numëruar deri në fletën e fundit. Kryesia ka personalitete të spikatura e unë i respektoj dhe i kam patur modele politike për sa i perket integritetit politik dhe përfaqësimit. Une ndjehem e nderuar që jam pjesë e Kryesisë dhe natyrshëm edhe përgjegjësi.

Keni reaguar për ngjarjen në Kavajë por do të ketë opozita një kërkesë për ngritjen e një Komisioni Hetimor për rolin e Policisë së Shtetit në këtë ngjarje?

Kam reaguar si nënë, si grua, si deputete. Ngjarja është shumë e rëndë. Të zë frymën e të zë trishtimi. Dhuna po kthehet në normë e kjo duhet të jetë e patolerueshme. E për këtë duhet të jemi të gjitha gratë bashke. Fshehja e ngjarjes nga institucionet përgjegjëse është e rëndë dhe e patolerueshme dhe kjo meriton nxjerrjen e përgjegjësive. Nëse nuk marrim masa dhe nuk njohim përgjegjësitë, natyrshëm duhet pritur që mungesa e masave shtrënguese do sjellë përsëritje. E kjo nuk duhet lejuar për asnjë arsye.

Duke  lexuar edhe qëndrimin e Fatmir Xhafajt, i cili tha se deputetët kanë humbur rolin duke u kthyer në kartona të qeverisë, si e gjykoni që PS-ja riktheu imunitetin?

Votimi duke shfytëzuar numrin e kartonave dhe duke u bërë pjesë e paligjshmërive dhe mos zbatimin e procedurës së parashikuar natyrshëm nuk sjell asnjë përmirësim në jetën parlamentare.

PD-ja prej kohësh ka nisur takimet dhe protesta në të gjitha degët në vend. Çfarë synohet me këtë proces? Janë sinjale të një rruge që të çon në zgjedhje të parakohshme apo fuqizimin për zgjedhjet lokale?

Përmes kësaj interviste dua të theksoj një gjë: E vetmja mënyrë për të dalë nga ky kolaps ku është futur vendi është largimi i kësaj qeverie përmes protestave apo çdo lloj mjeti tjetër demokratik, krijimi i një qeverie tranzitore dhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme me kushtin themelor që zgjedhjet të jenë të lira e të vendosë vullneti i qytetarëve. Thirrja që vjen për qytetarët e Dibrës por edhe të gjithë Shqiperinë është që më datën 16 shkurt të mblidhemi në sheshin përpara kryeministrisë, e të gjithë sëbashku në një mision historik për vendin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.