Kosovë-Shqipëri, drejt marrëveshjes për heqjen e kontrolleve në kufi

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme aprovoi vendimin për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës, dhënien e autorizimit ministrit të Punëve të Brendshme për nënshkrimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, për heqjen graduale të kontrolleve në kufirin e përbashkët.

Qeveria kosovare në mbledhjen e fundit të vitit 2018, në 28 dhjetor, ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes me Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit, si dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.

Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë në 29 dhjetor, në pikëkalimin kufitar Morinë-Vermicë nga ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, Sandër Lleshi dhe ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Ekrem Mustafa.

Me këtë rast, është theksuar se “qëllimi i Marrëveshjes është që palët të angazhohen për thjeshtësimin dhe përshpejtimin e verifikimeve kufitare, për lehtësimin e qarkullimit të shtetasve dhe mallrave”. Në 15 janar 2019 është bërë hapja e Zyrës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, e cila siç theksoi Kryeministri Edi Rama “është hapi i parë i rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe një stacion tjetër i rrugëtimit tonë të projektuar së bashku në mbledhjen e dy qeverive”.

Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, në 26 nëntor 2018 në qytetin e Pejës zhvilluan mbledhje të përbashkët, të pestën, pas të parës historike në Prizren në 11 janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 mars 2015, të tretës në 3 qershor 2016 në Prishtinë dhe të katërtës në 27 nëntor 2017 në Korçë.