Kufijtë, Marin Mema: Arnim që hap precedent të rrezikshëm

Mundësia e ekzistencës së një marrëveshje të fshehtë të nënshkruar mes Prishtinës e Beogradit për shkëmbimin e territoreve, ishte një ndër temat për të cilat foli në emisionin ‘A show’ në News24 gazetari Marin Mema. Gazetari tha se është kundër idesë së shkëmbit të territoreve shqiptare me territore të cilat ai gjithashtu i konsideroi shqiptare. Marin Mema u shpreh se padrejtësitë ndaj shqiptarëve nuk mund të zgjidhjen me arnime që përhapin precedentë të rrezikshëm.

Një diskutim shumë i fortë po bëhet këto kohë, jo vetëm në media, por edhe në popullatën e thjeshtë. Për atë që do të ndodhë në mars. Një marrëveshje që do të siglohet nga SHBA, por që do të bëhet mes presidentit Thaçi dhe Vucic. Një marrëveshje që Kosova duhet të marrë dhe të japë ca territore për të realizuar një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme. Mesa duket kryeministri i Shqipërisë është në këtë rreth, por nuk mund të pretendohet që  është në qendër të kësaj çështje. Ti je pro marrëveshjes, kundër marrëveshjes dhe si e lexon këtë ngjarje?

Unë një javë më parë isha në Kosovë dhe aty takova njerëz të mbijetuar dhe të masakruar në vitet 1998-1999. Janë mbi 15 mijë civilë që janë masakruar në mënyrë të pafajshme dhe dua të citoj fjalët e njërit prej të mbijetuarve. Ai tha na vranë, na masakruan dhe sot thonë na kërkoni dhe falje. Unë jam kundër ideve që shkëmbejnë territore shqiptare me territore shqiptare. Sot nuk janë shqiptarët e Kosovës ata që duhet të kërkojnë falje, por është Serbia që duhet të kërkojë falje përballë qytetarëve shqiptarë të Kosovës.

Pse është marrë kjo iniciativë e rrezikshme në një sens?

Këtë nuk Di ta them. Në  Serbi kemi territore shqiptare siç është Sanxhaku i Pazarit të Ri ku jetojnë më shumë se 250 mijë shqiptarë dhe që askush nuk flet për ta, atëherë pse duhet të jenë shqiptarët ata që duhet të ulin kokën  dhe duhet të pranojnë negociata të tilla.

Ti që e njeh rajonin mirë sepse bën reportazhe të rëndësishme dhe takon njerëz të rëndësishem. Nëse do realizohej pak me diplomaci ose ndoshta pak me le të them me detyrim, apo dhe pak me Bolton të SHBA, ose  edhe pak të njerëzve. Mund të nxiste kjo, tentativa shpërbërse të Ballkanit kështu siç e kemi?

Sigurisht sepse kjo mund të nxiste një precedent që mund të vazhdojë edhe në vende të tjera. Mund të jenë hungarezët për Vojvodinën apo edhe shqiptarët në Maqedoni. Gabimet dhe padrejtësitë që janë bërë ndaj shqiptarëve nuk mund të zgjidhen me arnime. Për mua ky është arnim që hap precedent të rrezikshëm.