Icardi sërish kundër tifozëve

Një reagim me doza zemërimi, sigurisht i ndikuar nga një moment që e pranojnë të gjithë: tejet i komplikuar në mënyrë të padiskutueshme. Ajo që po kalon Interi nuk është një periudhë që do ta donte askush. Pikërisht kapiteni i zikaltërve, Mauro Icardi, nuk arrin të kapërdijë sjelljen e tifozëve të skuadrës milaneze, që me vërshëllima “gjëmuese” në kor shoqëruan lojën e Interit gjatë të gjithë kohës në ndeshjen e humbur me Bolognën.

Kontestimin e tifozëve, “Maurito” nuk e pranon dhe ndaj saj përgjigjet me mënyrën e tij. Përmes rrjeteve sociale dhe me një kritikë tepër të ashpër. “Nëse nuk e doni skuadrën kur humbet, s’keni pse ta doni kur fiton”, shkruan ai në “Instagram”.

Reagimi i tij nuk ka nevojë për interpretime, teksa mishëron “ndarjen” mes sulmuesit argjentinas dhe tifozëve zikaltër. E kjo nuk është hera e parë, mjafton të kujtojmë polemikat e shkaktuara pas publikimit të librit të tij. Ndosha këtë ka zgjedhur si mënyrë për të mbrojtur veten dhe shokët e skuadrës, por tifozët presin reagim në fushë dhe jo në rrjete sociale.