Ulqinaku: Zgjedhjet vetëm me qeveri tranzitore, fitojmë bashkitë kryesore

Flet për “Koha Jonë”, deputetja dhe anëtarja e kryesisë së PD-së, Izmira Ulqinaku: Protesta çdo ditë, më pas në dorën e shqiptarëve

Intervistoi: Redjon Shtylla

“16 shkurti pritet të jetë protesta që do të kulmojë pas disa protestash që do të bëhen në qytetet kryesore të vendit”. Kështu shprehet deputetja dhe anëtarja e kryesisë së PD-së, Izmira Ulqinaku, në një intervistë “Koha Jonë”.

E pyetur pse opozita thërret shqiptarët në protestë dhe çfarë pritet të ndodh pas 16 shkurtit, Ulqinaku thekson se: Unë besoj se përveç revoltës ndaj keq-qeverisjes, qytetarët shqiptarë do të dalin masivisht, sepse do të jetë edhe një ditë shprese, nuk e them për sllogan politik, pasi për mua një prej krimeve më të mëdha që ka bërë kjo qeveri është vrasja e shpresës që në këtë vend mund të jetohet normalisht. Ajo do të jetë dita e shqiptarëve dhe skenari është i tyre. Ato do të vendosin formën e protestës në vijim”.

Duke marrë shkas nga zgjedhjet lokale të këtij viti, a do të ftohen shqiptarët edhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare? Ulqinaku thotë po dhe ka këtë përgjigje. “Prezenca e Edi Ramës në qeveri sjell më shumë varfëri, më pak rend dhe siguri. Në situatën ku ndodhemi, besoj se do të kemi zgjedhje të parakohshme dhe vështirë që mazhoranca aktuale të votohet, madje në zgjedhjet vendore sipas sondazheve, pritet të humbasin edhe bashkitë e mëdha që drejtojnë tani”.

Znj.Ulqinaku, si anëtare e re e Kryesisë së PD-së, si i keni pritur kritikat jo për ju por për këtë numër të vogël anëtarësh në Kryesinë e re të PD-së, që janë bashkëpunëtorë të z.Basha?

Personalisht i kam gjykuar më shumë si opinione të atyre që duan të bëjnë “opozitën” e opozitës sesa si kritika mbështetur mbi ndonjë argument. Kryesia e re ka dalë nga një proces model votimi, vetë rezultati ka treguar për një konkurencë të mirëfilltë. Ka qenë një garë krejt e hapur. Megjithëse mua më duket absurde të kërkosh që kryesia e një partie të mbizotërohet nga kundërshtarët e kryetarit të saj por edhe në këtë pikë, në kryesinë e re nuk është se mungojnë personalitetet që janë treguar kritikë ndaj z.Basha. Gjej rastin të bëj një pyetje: Kujt nuk iu dha mundësia të konkurojë apo iu bë padrejtësi në votim? Askujt. Kjo është arsyeja kryesore që më bën të mendoj se opinionet e shprehura janë të pavend.

16 shkurti është dita kur opozita thotë se do të dalë në protestë të madhe. A do të jetë manifestim? Protestë? Revoltë? Do ketë përsëritje të skenave të protestës të së njëjtës periudhë të dy viteve më parë, që kulmoi me ngritjen e çadrës para godinës së Kryeministrisë, apo do të ketë befasi?

16 shkurti pritet të jetë protesta që do të kulmojë pas disa protestash që do të bëhen në qytetet kryesore të vendit. Partitë e opozitës së bashkuar po bëjnë koordinimin si dhe formës së zhvillimit të protestës. 16 shkurti do të jetë dita që do të shprehë revoltën popullore, lumi që do të bashkojë protesën e banorëve të megaskandalit të “Unazës së Re”, protestën e studentëve, të mijëra qytetarëve të varfëruar dhe të braktisur nga qeverisja e Ramës. Unë besoj se përveç revoltës ndaj keq-qeverisjes, qytetarët shqiptarë do të dalin masivisht, sepse do të jetë edhe një ditë shprese, nuk e them për sllogan politik pasi për mua një prej krimeve më të mëdha që ka bërë kjo qeveri është vrasja e shpresës që në këtë vend mund të jetohet normalisht. Pavarësisht thirrjes për protestë demokratike nga partitë e opozitës, ajo do të jetë dita e shqiptarëve dhe skenari është i tyre. Ato do të vendosin formën e protestës në vijim.

Opozita nuk dëgjohet më të artikulojë akuzat e “zgjedhjeve me kanabis”, pasi tani po përflitet se zgjedhjet mund të “manipulohen me karta identiteti”. A është kjo alibia e një humbjeje apo alarm për të parandaluar një vjedhje të caktuar? Zëri i Amerikës publikoi raportin për vjedhje të zgjedhje të qershorit 2017. Si e keni lexuar?

Akuzat e opozitës janë vërtetuar, kanë dalë të sakta dhe vazhdojnë të vërtetohen. Përgjimet e fushatës së 2017, të cilat u bënë publike nga “VOA”, vërtetuan se mazhoranca kishte blerë vota masivisht me paratë dhe presionin e krimit. Manipulimin përmes vjedhjes dhe blerjes së votës Partia Demokratike e ka faktuar prej kohësh, sidomos me rastet flagrante në Korçë apo në Dibër, për të cilat nuk u mor dhe nuk u lejua të përfundonte asnjë hetim. Edhe tani, Partia Demokratike ka treguar që është gjithmonë një hap më para, sepse ka pranë vetes ekspertët më të mirë të së drejtës dhe ekonomisë por mbi të gjitha, një bazë të gjerë anëtarësie dhe mbështetje popullore nga vijnë edhe informacione e indicia për atë çfarë po përgatit që tani mazhoranca.

Prandaj PD-ja po jep alarmin e manipulimit të zgjedhjeve me karta identiteti. Janë 1.4 milionë karta të identetit të cilat skadojnë para mbajtjes së zgjedhjeve dhe me ritmin sesi po bëhet pajisja e tyre me kartat e reja do të duhen dy vjet të pajisen. Me një llogari të thjeshtë, i bie që të mos kenë mundësinë për të votuar më shumë se gjysma e shqiptarëve. Ky është problem real. Po të shtojmë këtu edhe blerjen e votës, çfarë mund të presësh atëherë? Nuk po them ndonjë gjë të re, të gjithë shqiptarët e dinë se gjithë ky korrupsion qeveritar që po bëhet kaq haptas dhe me kaq ngut tani, ka vetëm për një arsye, mbledhje parash për të blerë zgjedhjet. Prandaj, thirrja për të parandaluar një vjedhje të mundshme votash nuk do të thotë që është alibia e një humbjeje. Sot shqiptarët e kanë krejt të qartë se prezenca e Edi Ramës në qeveri sjell më shumë varfëri, më pak rend dhe siguri.

Në situatën ku ndodhemi, besoj se do të kemi zgjedhje të parakohshme dhe vështirë që mazhoranca aktuale të votohet, madje në zgjedhjet vendore sipas sondazheve, pritet të humbasin edhe bashkitë e mëdha që drejtojnë tani. Shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të durojnë këtë qeverisje.

A ka një qëndrim përfundimtar opozita për sa i përket reformës zgjedhore, pasi ishte paralajmëruar si një parakusht i opozitës reforma zgjedhore para zgjedhjeve vendore por çfarë po ndodh?

Partia Demokratike do të vazhdojë të pjesë në komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore. Padyshim që reforma zgjedhore mbetet e një rëndësie të veçantë për zgjedhjet e ardhshme. Edhe sot e kësaj dite PD-ja ka vënë theksin se duhet të garantohen çështje të tilla si ai i depolitizimi të komisioneve zgjedhore apo çështje që shkojnë në plotësimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-t por edhe për votimin elektronik dhe teknologjitë e reja të votimit për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. I duhet dhënë fund njëherë e mirë deformimit të votës së shqiptarëve. Por kjo nuk mund të realizohet asnjëherë me këtë qeveri dhe këtë kryeministër. Prandaj për zgjedhje të lira e të ndershme duhen organizuar nga një qeveri tranzitore.

PD-ja prej kohësh ka nisur takimet në të gjitha degët në vend. Çfarë synohet me këtë proces? Janë sinjale të një rruge që të çon në zgjedhje të parakohshme apo fuqizimin për zgjedhjet lokale?

Me takimet që po organizohen në të gjitha degët e PD, synohet bashkimi i të gjitha fuqive që përmban partia jonë, në mënyrë që të jemi gati për të fituar zgjedhjet vendore dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Siç e përmenda edhe më lart, besoj se do të kemi dy palë zgjedhje që do të mbahen njëherësh, ato parlamentare dhe ato lokale. Zhvillimet e fundit kanë treguar se kjo qeveri dhe kjo mazhorancë ka rënë.

Protesta e studentëve, e banorëve të Astirit, e naftëtarëve, bënë të kuptojmë që qeveria e njeh mirë “gjuhën e protestës” por cili është objektivi i protestës së 16 shkurtit?!

Nuk jam dakort me: qeveria e njeh mirë gjuhën e protestës, sepse sikur ta njihte nuk do sillej në mënyrë harbute me asnjërën palë protestuesish, nuk do përdorte dhunë, arrestime etj. Asnjë prej këtyre rasteve që ju përmendët nuk ka gjetur zgjidhje, apo të ketë pasur një qasje për t’i vënë në drejtimin e duhur. Nuk ka pasur qeveri që ka pasur kaq shumë protesta në një vit e gjysëm. Por ndryshimi i 16 shkurtit duhet të jetë bashkimi i tërë këtyre protestave, duke i shtuar si orientim kryesor-largimin e Ramës, si e vetmja zgjidhje për tërë problemet që i rëndojnë çdo ditë shqiptarëve.

A është lëvizja e PD-së një lëvizje për të promovuar alternativë qeverisëse apo synon vetëm përmbysjen dhe largimin e kryeministrit Rama?

Partia Demokratike që në 2017 ka promovuar alternativën qeverisëse nëpërmjet programit të saj. Vazhdojmë të jemi e vetmja forcë politike me një program të detajuar politik për drejtimin e vendit dhe për reformat që duhen ndërmarrë, pasi gjitha reformat e bëra nga Rama dhe qeveria e tij kanë dështuar, duke përfunduar vetëm në skema gjigande korrupsioni, ashtu siç e kishte paralajmëruar  PD-në. Kemi kritikuar që prej dy vitesh reformën në arsim dhe ja ku shpërtheu protesta e studentëve, kemi qenë që në fillim kundër reformës në mjekësi, së bashku me “chek-up”-in e famshëm, dhe çfarë rezultati kemi sot? Kemi deklaruar që në fillim se “taksimi i ndershëm”, vetëm i ndershëm nuk do të ishte. PD-ja vazhdon t’i qëndrojë projektit të saj të hartuar së bashku me ekspertë perëndimorë si një garanci për zhvillimin e vendit.

Çfarë mund të themi për reformën zgjedhore, është ende në një rrugë pa krye, pasi PS dhe PD nuk po ulen. Çfarë qëndrimi ka opozita në lidhje me këtë reformë?

E përmenda edhe më sipër, për PD por edhe për gjithë opozitën reforma zgjedhore ka një rëndësi thelbësore por mazhoranca po përpiqet ta fragmentarizojë punën  e komisionit, duke shmangur një mori çështjesh të cilat duhet të adresohen nga qeveria, për të cilat kjo e fundit nuk po bën asgjë. Qëndrimi i PD mbetet i palëkundur në këto pika: dekriminalizim të procesit zgjedhor, penalizime të forta për të parandaluar shitblerjes së votës, financim shtetëror 100% të fushatës së partive, identifikim biometrik, votim dhe numërim elektronik. Ne vazhdojmë të ngrejmë zërin se duhet të shtohet infrastruktura dhe të subvencionohet çmimi për 1.4 milionë karta të të identitetit të cilat skadojnë këto muaj. Po ashtu duhet të përfundojë regjistri i adresave , e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund lëvizjes të votuesve nga një zonë në tjetrën. Në buxhetin e 2019-s nuk ka asnjë lek të parashikuar për këtë çështje.

Procesi i përzgjedhjeve i koalicionit opozitar të kandidatëve për garën për bashkitë e vendit, si do të realizohet dhe si do të jetë PD-ja në këto zgjedhje?

PD-ja ka përmbyllur fazën e riorganizimit të brendshëm të saj dhe tani fillon edhe periudha për strategjitë dhe përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme. Është ende herët të flitet për një proces përzgjedhjeje kandidatësh, pasi besoj se në zgjedhjet e ardhshme do të jemi së bashku me aleatët tanë politikë, për këtë arsye do të jetë një proces më i hapët dhe më kolegjial. Përsa i përket përzgjedhjes së kandidatëve akoma nuk është vendosur si do realizohen por di të them që do jenë kandidaturat më të mira që kanë dalë ndonjëherë nga ndonjë forcë politike. Për gjykimin tim, Partia Demokratike në zgjedhjet që na presin do të jetë më e fortë se kurrë. Sondazhet janë në favor të forcave të së djathtës. Bashkitë më të mëdha, pas qershorit do të jenë në drejtim nga demokratët.