Ndryshimi i kufijve, Thaçi zbut tonet: Kosova nuk ndahet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi insiston se marrëveshja Kosovë-Serbi, nënkupton korigjim të kufijve dhe jo ndarje të Kosovës.

“Nuk mund të ndodhë një marrëveshje përfundimtare, me njohje reciproke, me anëtarësim të Kosovës në OKB, edhe pa definimin e plotë të kufirit dhe njohjen reciproke, që do të thotë një demarkim teknik. Unë në kuadër të këtij demarkimi, besoj fuqishëm se mund të përfshijmë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin. Të tjerat nuk janë deklarime të mijat, apo opinionet që janë prezantuar nga të tjerët. Unë punoj për një demarkim teknik, përmbyllës, Kosovë-Sërbi, që do të përfshinte Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin”, deklaroi në emisionin ‘Të Paekspozuarit’.

Thaçi refuzon të thotë se çfarë përfitojnë konkretisht qytetarët e Kosovës nga kjo marrëveshje por shprehet se nuk do të lejojë krijimin e një asosacioni me shumicë serbe si Republika Srbska.

“Kush mendon se marrëveshja përfundimtare me Serbinë, do të jetë e lehtë, e shpejtë dhe vetëm e duartrokitur në Prishtinë, mendoj se do të gabohet rëndë. Por, kush e ka zgjidhjen magjike, unë do ta përshëndes dhe duartrokas shumë. Cfarë nënkupton demarkimi teknik? Për mua nënkupton, përmirësimi i një padrejtësie, sepse këto pjesë kanë qenë të Kosovës dhe duhet t’i takojnë Kosovës. Unë punoj dhe unë besoj se do të realizohet ky objektiv. Ndërsa, se çfarë mendon Beogradi, është cështje e tyre. Ne ende, nuk kemi diskutuar në tavolinë. Tash është themeluar ekipi shtetëror i Kosovës, dje kanë qenë në Bruksel”, përfundoi Thaçi.