Ministria e Financave: FMN konfirmoi rritjen ekonomike, borxhi u ul

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka reaguar pas raportit të FMN, i cili konfirmonte rritjen ekonomike të vendit tonë.  Sipas këtij raporti, të cilit i referohet, ministria e Financave dhe Ekonomisë, kjo rritje ekonomike është më e larta në dekadën e fundit.

Reagimi i plotë

Bordi Ekzekutiv i FMN në datë 23 Janar-2019 miratoi raportin e radhës të Stafit të FMN, bazuar mbi gjetjet e misionit të fundit të tij në Shqipërinë gjatë periudhës 6 – 20 Nëntor, 2018. Raporti konfirmon prirjet pozitive të ekonomisë shqiptare në terma rritje ekonomike falë zbatimit të reformave të ndjekura. Ndër të tjera,

FMN deklaron se:  Nga të dhënat më të fundit të Produktit të Brendshëm Bruto, Stafi i FMN ka rishikuar në rritje vlerësimin e tij për rritjen reale ekonomike të vitit 2018, në 4.2%.

Stafi i FMN vlerëson se borxhi publik total bruto (pa përfshirë “arrears”) për vitin 2018 ësthë në nivelin 67.2% e PBB, 1.7 pikë përqindje më i ulët se sa projeksioni respektiv i bërë në raportin e Stafit të FMN, rrjedhojë kjo e një deficiti më të ulët se sa parashikohej si dhe vlerësimit të kursit të këmbimit. Këto efekte priten të jenë permanente, kështu që rrjedhimisht reduktojnë nivelet e projektuara të borxhit përgjatë horizontit kohor të projeksioneve në vijim.

Me nota pozitive vlerësohet dhe emetimi i suksesshëm i Eurobondit të Shqipërisë pre 500mln Euro në Tetor të vitit 2018 me një maturitet 7 vjet dhe me terma të favorshme.

Duke përshëndetur progresin e deritanishëm, Bordi Ekzekutiv thekson se është e rëndësishme të përfundohet reforma gjyqësore në vazhdim dhe të forcohen përpjekjet kundër korrupsionit. Drejtorët theksuan nevojën për të reduktuar informalitetin, duke ruajtur një sistem tatimor të thjeshtë dhe të ndershëm, duke mbajtur përmirësime në mbledhjen e taksave dhe duke rritur cilësinë e shërbimeve publike.

FMN mirëpriti ndryshimet e planifikuara në legjislacionin PPP për të rritur rolin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si një rojtar në mbajtjen e kostos fiskale potenciale të PPP-ve, si një hap i parë i dobishëm. Gjithashtu do të jetë kritike për të siguruar vlerën për para përmes një procesi konkurrues të ofertimit për të gjitha projektet duke ndaluar pranimin e propozimeve PPP të pakërkuara

Qeveria është duke punuar ngushtësisht me FMN/BB/BE për konsolidimin e proceseve vendimmarrëse dhe forcimin e njësisë së menaxhimit të investimeve publike në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.