Izolimi i gjatë nga bora “sëmur” fëmijët në Dibër

Shumë fëmijë në zonat malore të qarkut të Dibrës po përballen me komplikacione të vizorave të stinës pasi bllokimi i rrugëve nga dëbora u pamundësoi marrjen në kohë të mjekimit. Çdo ditë pranë pediatrisë paraqiten mbi 50 fëmijë me probleme shëndetësore.

Temperaturat e ulta që mbërthyen vendin gjatë këtij muaji kanë rritur ndjeshëm numrin e të prekurve nga virozat e stinës.

Rreth 50 fëmijë mesatarisht paraqiten çdo ditë pranë repartit të Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Peshkopisë, ku një pjesë e tyre shtrohen për shkak të komplikacioneve.

Filip Cfarku: Fluksi ka qenë goxha i shtuar, mbi 50 vizita të paktën mesatarja përditë. Pavioni i Pediatrisë është pothuajse plot.

Shefi i Shërbimit të Pediatrisë, thotë se këto raste vijnë kryesisht nga zonat që mbeten të bllokuara për ditë me radhë nga dëbora.

Filip Cfarku: Për epidemi nuk mund të flasim por rastet janë shumë të shtuara. Bllokimi i rrugëve bëri të vinë raste të transkuruara që kanë mbetur gjatë pa mjekim nëpër zona dhe rastet janë kryesisht me komplikacione respiratore.

Në të njëjtën kohë me shqetësim shihet rikthimi i sëmundjes së fruthit. Por mjekët e Dibrës thonë se deri tani nuk kanë asnjë rast të dyshimtë.

Filip Cfarku: Për momentin nuk kemi pasur asnjë rast të dyshimtë për fruth, jemi të qetë në këtë aspekt.

Sipas ISHP, numri i të prekurve nga fruthi gjatë muajit janar shkon në 30 raste, kryesisht fëmijë nën dy vjeç.