Higuain prezantohet tek Chelsea: Ekip që më ka pëlqyer gjithmonë

Gonzalo Higuain është prezantuar sot si futbollisti më i ri i ekipit të Chelsea-t. Sulmuesi argjentinas firmosi kontratën 6 mujore që do ta lidhë me Blutë e Londrës deri në fund të këtij sezoni, ndërkohë u shfaq shumë i lumtur për këtë aventurë.

Në bazë të paraqitjeve të lojtarit Chelsea do të vendosë nëse do ta blejë ose jo përfundimisht El Pipitan në fund të kampionatit.

“Nuk mund të mos e shfrytëzoja mundësinë për t’iu bashkuar Chelsea-t. Është një skuadër që më ka pëlqyer gjithmonë dhe që ka një histori të madhe, një stadium të mrekullueshëm dhe luan në Premier League, një kampionat ku kam dashur gjithmonë të luaj.

Tani shpresoj t’ia shpërblej në fushë besimin që klubi tregoi tek unë. Pres me padurim të nis këtë aventurë të re dhe shpresoj të përshtatem sa më  shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Higuain.