Veseli: Andej e këtej Ibrit do jetë një Mitrovicë dhe një Kosovë

Ka kaluar më shumë se një shekull nga rënia e Isa Boletinit, por koha dhe vitet nuk kanë arritur ta zbehin kujtimin e tij, as peshën historike të veprimtarisë së tij, as porosinë e një jete të kaluar në luftë për liri kombëtare.

Kështu ka thënë sot kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në Akademinë Përkujtimore e cila u mbajt në Mitrovicë me rastin e 103-vjetorit të vrasjes së heroit të kombit, Isa Boletini.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari Veseli tha se sa herë vjen janari kujtohen rëniet dhe vdekjet e njerëzve të mëdhenj të kombit tonë: Skënderbeut e Ismail Qemalit, por edhe luftëtarët e vonshëm të lëvizjes sonë kombëtare, që ranë po në janar: Vëllezërit Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.

“Sot jemi bërë bashkë për të kujtuar e nderuar një personalitet të madh të Kosovës, i cili po ashtu ra në janar, heroin e Mitrovicës, heroin e Kosovës, heroin e gjithë kombit shqiptar, Isa Boletinin. Sot porosia jetësore e Isa Boletinit na flet qartë dhe drejtë, ma shumë se kurrë: nuk ka jetë të mirë për individin, pavarësisht gjendjes së kombit. Na mund të jemi mirë, veç kur kombi dhe shteti i kanë punët mirë. Kjo është dashuria e vërtetë për atdheun”, theksoi Veseli.

Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se gjenerata e tanishme ka për mision që Kosova përgjithmonë të jetë e lirë, shtet i pavarur dhe sovran, anëtare në familjen e shteteve sovrane, në OKB, NATO dhe BE.
“Ne si gjeneratë e dimë se nga kemi ardhur, çfarë trashëgojmë dhe ku duam në shkojmë. Ne i dimë detyrat me të cilat na ka ngarkuar historia dhe nuk e kemi ndërmend, për asnjë moment, të heqim dorë prej tyre. Dhe nuk ka vend ma adekuat se sa Mitrovica për ta dhënë këtë zotim. Nuk ka, sepse Mitrovica është qyteti emblemë i kombit. Mitrovica është testamenti i Isa Boletinit. Sot dhe përgjithmonë, andej dhe këndej Ibrit do të jetë një Mitrovicë dhe një Kosovë”, tha Veseli.

Ai shtoi se Kosovën nuk e frikësojnë sfidat që i dalin përpara dhe as dialogu e ballafaqimi me Serbinë. “Ne hyjmë në dialog për ta fuqizuar Kosovën, shtetin dhe kombin tonë. Bashkë me partnerët dhe aleatët tanë të mëdhenj në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe të jeni të sigurtë se kemi me ia dalë. Do të fitojmë”, theksoi kryeparlamentari Veseli