PS do vendosë për Bahri Shaqirin pas seancës dëgjimore

Shqipëria gjendet para dy ngjarjeve kryesore në qershorin e ardhshëm siç janë vendimi për negociatat dhe zgjedhjet vendore.

Për kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, opozita duhet të marrë përsipër detyrat e saj në mbarëvajtjen e këtyre proceseve dhe për këtë duhet të votojë në parlament kodin e ri zgjedhor

Taulant Balla: “PD sot po mundohet të ngrejë skeletin e alibisë së humbjes së radhës më 30 qershor. Për të mohuar gjithë këto dyshime duhet që PD të bëhet pjesë e rëndësishme e marrjes së përgjegjësive”

I pyetur për propozimin nga Presidenti të Bahri Shaqirit si kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Balla u shpreh se si kryetar i grupit parlamentar, do të flasë i fundit, pasi të jenë kryer të gjitha procedurat parlamentare në lidhje me këtë propozim dhe më pas do të vendosë

Taulant Balla: Unë jam kreu i Grupit Parlamentar të PS-së dhe praktikisht jam i fundit që duhet të flas për këtë çështje dhe dua ta them që ne jemi gjithmonë rigorozë sipas parashikimeve që na japin tre librat e rëndësishëm në këtë aspekt: Kushtetuta, Ligji për Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Rregullorja e Kuvendit. Sapo Komisioni i Çështjeve Ligjore dhe Administratës Publike në Kuvendin e Shqipërisë dhe Komisioni i Ekonomisë, të kenë kryer seancën dëgjimore dhe verifikimin e përmbushjes së kritereve që përcakton ligji, do t’ju komunikojmë qasjen dhe vendimin tonë. Ne duam që në institucione kaq të rëndësishme të auditimit financiar të jenë persona që kanë eksperiencë të gjatë, që kanë njohuri dhe shumë përkushtim në kryerjen e kësaj detyre.