Kenya, 14 të vdekur pas një sulmi kamikaz në një hotel në Nairobi

Terroristët islamikë somalezë al-Shabbab kanë goditur sërish në Kenya, ku pas një sulmi kanë humbur jetën 14 njerëz dhe dhjetëra janë plagosur në një hotel luksoz në Nairobi.

Gjithashtu terroristët kanë marrë peng edhe shumë njerëz. Ka qenë vetë presidenti kenian Uhuru Kenyatta, që ka thënë që operacioni për të sjellë siguri në zonë ka vazhduar për të gjithë natën deri në agim.

Gjatë natës është plagosur edhe një agjent i skuadrës speciale. ‘Forcat keniane kanë vrarë të gjithë ekstremistët islamik që kishin hyrë në hotel dhe në zonën tregtare përreth hotelit. Kenyatta nuk ka saktësuar se për sa agresorë bëhej fjalë.

Sulmi si fillim ka nisur me një shpërthim dhe më pas me shkëmbime zjarri nga ana e terroristëve. Sulmin e ka marrë përsipër al-Shabbab nëpërmjet radios së tyre, Al Andalus.

Grupi i lidhur me al-Kaedën edhe në të kaluarën ka goditur Kenya. Sulmi ka filluar në tre të pasdites së djeshme në Riverside Drive, një rrugë në një lagje luksoze në Nairobi. Objektivi ishte kompleksi, në të cilin përveç njerëzve që qëndrojnë në hotel, ka edhe banka, zyra, restorante dhe bare.

Terroristët, 6 sipas asaj që raportojnë agjentët e sigurisë, kanë shpërthyer me forcë një zonë që ruhej me roje duke qëlluar në drejtim të tyre dhe duke lëshuar bomba në tre automjete të parkuara përpara një banke.

Pas kaosit të krijuar kanë hyrë në hotel dhe njëri prej tyre, një kamikaz, ka shpërthyer duke plagosur disa persona që qëndronin në hotel, ka thënë shefi i policisë keniane, Josepf Boinnet.

Forcat e sigurisë vendase kanë vënë më pas nën kontroll të shtatë katet e kompleksit. ‘Disa trupa janë në restorant në katin e parë, të tjerë në katet më të larta. Ka gjak kudo’, tregojnë dëshmitarët. Në mbrëmje operacioni për të neutralizuar agresorët ka vazhduar, duke arritur të lirohen edhe të tjerë civilë, që ndodheshin akoma brenda kompleksit. Nuk është e qartë nëse bëhej fjalë për pengje apo për persona të bllokuar në godinë.