“Punësimet në burgje nga PS”, Manjani: S’do i lajë mëkatet Çuko

Një ditë pasi “Zëri i Amerikës” publikoi një pjesë të përgjimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që çuan në pranga ish-drejtorin e Burgjeve Arben Çuko ku thuhet se punësimet në burgje bëheshin me urdhra dhe ndërhyrje të zyrtarëve të PS-së, vjen një reagim nga ish-ministri Ylli Manjani.

Ky i fundit përmes një postimi në ‘Facebook’ thekson se është e padrejtë që Çuko të lajë mëkatet e të gjithë punësimeve politike që janë bërë prej 30 vitesh. Sipas Manjanit, asnjë parti nuk guxon që të mos shkelë ligjet e punësimit në administratën publike.

REAGIMI I MANJANIT

E pa drejtë!

————
Duke ruajtur respektin maksimal për mediat, përfshi edhe Zërin e Amerikës në shqip, nuk mendoj se është e drejtë që Arben Çuko të lajë mëkatet e të gjithë punësimeve politike që janë bërë tash 30 vite!
Në rastin e denoncuar dhe nga VOA, para ligjit duhet të ishin deputetët që ushtruan ndikim të paligjshëm dhe jo Arben Çuko.
Por ç’është më e rëndësishmja, asnjë parti nuk guxon ta zgjidhë njëherë e mirë këtë gjë, pra të mos shkelë ligjet e punësimit në administratën publike!☹️☹️☹️
Ndaj mirë është të mos jemi hipokritë. Zgjidhje ka plot, po askujt s’ja mban t’i vërë në zbatim!