Gjunkshi dhe Oketa për Balilin: U vetëdorëzua me dakordësi për ti dhënë “oksigjen” Ramës

Për demokratët, arrestimi i Klement Balilit është frut i një dakordësie mës tij dhe mazhorancës qeverisës për tu vetëdorëzuar.

Deputeti Xhemal Gjunkshi dhe Gazmend Oketa të ftuar në Ora News  thonë se ky zhvillim do ti japë sadopak oksigjen kryeministrit Rama përballë situatës së vështirë në të cilën ndodhet.

Gjunkshi: Klement Balili i cilësuar si “Eskobari i Ballkanit”, ka dy vjet në kërkim.Kemi parë që strukturat e policisë së shtetit përballë ndalimit, arrestimit të këtij trafikanti ka qenë i pamundur. Sot në kushte të papritura Klement Balili shkon dhe paraqitet vetë te Krimet e Rënda, do të thotë që është dorëzuar. Nuk kuptoj se ku qëndron suksesi i kryeministrit, ministrit të rendit në kapjen dhe arrestimin e këtij personi.

Oketa: Dua të prek tre elementë nga ajo çfarë më ka bërë përshtypje sot. Fakti që Balili u vetëdorëzua dhe politika me ngut tentoi të marrë frutet e këtij dorëzimi. Do ishte krejt normale që sot para medias të dilte në konferencë drejtori i përgjithshëm i policisë. Fakti që doli Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri më bën të besoj edhe hipotezën se vetëdorëzimi ka lidhje dhe me momentin tejet të vështirë  që mazhoranca apo kryeministri i vendit po kalon. Kjo mund të shihet një dakordësi mes tyre për ti dhënë sadopak oksigjen zotit Rama.

Ish-Ministri i Mbrojtjes Oketa kërkon nga ana tjetër që rasti Balili të mos shërbejë si eklipsim për skandalet e kësaj qeverie, si rasti i Unazës së Re.

Oketa: Do thoja që rasti Balili të mos shërbejë si rast për të mbuluar shumë çështje të tjera, nuk dua që Balili të eklipsojë skandalin e Unazës së Re, një megavjedhje. Është një rast që nëse do të ndiqet, nëse drejtësia do të bëjë punën e saj në fund fare do të na çojë drejt atyre “peshqve të mëdhenj”.