Tap siguron financimin – 3.9 mld euro në total, një hap përpara përfundimit brenda afateve

Gazsjellësi Transadriatik ka plotësuar të gjitha nevojat financiare, bën me dije vetë konsorciumi. Bëhet fjalë për një financim prej 3.9 miliardë eurosh të siguruara nga huadhënës publik por edhe privatë.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka dhënë 1 miliard euro hua, gjysma e të cilave drejtpërdrejtë nga llogaria e saj, ndërsa pjesa tjetër nëpërmjet 16 bankave tregtare.

Financimi total prej 3.9 miliardë eurosh është siguruar nga 17 banka tregtare, sëbashku me BERZH, Bankën Europiane të Investimeve si dhe agjenci eksporti nga Franca, Gjermania dhe Italia.

Kështu, Banka Europiane e Investimeve ka financuar 700 milionë euro, Berzh 500 milionë euro drejtpërdrejtë dhe 500 milionë euro nëpërmjet bankave tregtare.

Mbyllja e projektit të financimit përkthehet në shanse më të mëdha që  projekti të përfundojë brenda afateve të paracaktuara, ashtu siç kanë apeluar vazhdimisht, Brukseli zyrtar por edhe Washingtoni.

Bashkimi Europian e ka vendosur projektin si një prioritet të vetin. Tap pritet të nisë punën duke transportuar gazin e parë, vitin e ardhshëm.

Gazsjellësi i 878 kilometra i gjatë është pjesë e korridorit jugor të gazit, 3500 kilometra i gjatë dhe me një kosto totale prej 40 miliardë dollarësh.

Projekti i gazsjellësit transadriatik cilësohet si i një rëndësie të veçantë për rajonin dhe për Shqipërinë, pasi veçse do ta bëjë këtë zonë të Europës pjesë të rrjetit të gazifikimit, do t`i japë edhe një peshë më të madhe gjeopolitike.