Gëzojuni festave dhe falni dashuri!

Nga Jonida Ucaj, Psikologe

FESTAT, PËR NGA PËRMBAJTJA E TYRE KONSIDEROHEN TË TILLA PASI I MBLEDHIN TË GJITHË NJERËZIT MË TË SHTRENJTË BASHKË. ATO TË FALIN GJITHË KOHËN NË DISPOZICION PËR VETEN, PËR T’U ÇLODHUR DHE PËR T’IU GËZUAR KOHËS SË PËRBASHKËT ME NJËRI-TJETRIN! GJITHÇKA ËSHTË MË E KËNDSHME, DUKE FILLUAR QË NGA RRUGËT PLOT ZBUKURIME E NDRIÇIM, E DERI TE DETAJET MË TË VOGLA NË SHTËPI. GJITHÇKA ËSHTË PERFEKTE.

Por, një nga këto ditë, duke qenë se keni kohë të reflektoni, mund të ndodhë të pyesni veten: A ishte ky një vit i mirë për mua? A i përmbushi ai pritshmëritë dhe synimet e mia? A pati ndonjë gjë që nuk shkoi ashtu siç duhet? A më lëndoi dikush? Apo lëndova dikë? A humba dikë të dashur? Dhe gjendeni para bilancit të gjërave pozitive dhe negative në peshore. Nga cila anë peshoi ajo për ju? Sërish ju bie juve përgjegjësia për ta rehatuar ndërgjegjen tuaj nga barrat e vitit.

Dikujt i duhet thënë “që më ke lënduar”, por shumë e rëndësishme për Ju është që ta falni atë, në mënyrë që ta filloni vitin e ri pa barriera. Dikë mund ta keni lënduar ju, ndaj më e favorshme do të ishte t’i kërkoni falje. Edhe nëse jeni shumë kryelartë për ta bërë këtë, gjeni një mënyrë të volitshme.

Dikujt tjetër duhet t’i themi faleminderit. Ai/ajo mund t’ju ketë dhënë dorën në një çast të vështirë. Duhet t’i shprehni mirënjohjen tuaj, ajo është një ndër vlerat më të larta njerëzore. Por mund të jetë dhe një shitëse që ju ka pritur ndryshe nga të tjerët, një person që ju ka mbrojtur, dikush që ju e ndjeni që ka lobuar për të mirën tuaj, që ju ka forcuar si person, dikush që ju ka nxitur për të arritur një objektiv, e dikush tjetër që ju ka dhënë mundësi të reja.

Pra, kërkoni falje dhe thoni faleminderit, mund t’ia thoni në sy, por nëse e keni të vështirë mund t’ia shprehni me e-mail apo letër. Ju siguroj, kjo jua nis vitin mbarë.

Mos lini pezull detyrime që duhet t’i kryeni brenda këtij viti. Përpiquni t’i mbyllni ato.
Përcaktoni për vitin e ri objektiva të realizueshme dhe vërini synim vetes për t’i arritur ato. Mund të jenë që nga rënia në peshë, deri te gjëra që kërkojnë më shumë impenjim, të tilla si synimet për arritje profesionale. Por, mbi të gjitha, mos harroni t’u përkushtoheni gjërave që ju rrisin ju së brendshmi. Ato gjërat e vogla që investoni te vetja që ju bëjnë njeri më të mirë.

Nëse je shef, përgëzojeni stafin për arritjet gjatë vitit; nëse je profesor apo profesoreshë, inkurajoji studentët; nëse je mik i dikujt, shprehi dashurinë, vlerësimin, mirënjohjen.

Në qoftë se jeni prind, tregojini fëmijës suaj sa vlen ai/ajo për ju. E njëjta gjë vlen dhe për familjarët. Janë pikërisht gjërat që shpeshherë kemi droje t’i themi ato që kanë ndikim shumë të veçantë dhe i bëjnë marrëdhëniet me njerëzit më të mira. Bëni diçka të mirë pa e mbyllur vitin.

Jepini diçka dikujt pa e kuptuar ai, mund të jetë një person në nevojë, që ka mungesa në të mira materiale.

Investoni gjithashtu te vetëbesimi dhe te marrëdhënia e mirë me veten. Duke i dhënë dashuri vetes, e duke pasur paqe shpirtërore, kjo reflektohet për rreth.