Risqet nga ndryshimet klimatike/ KESH miraton planin e menaxhimit, pjesë e kredisë 218 mln euro nga BERZH

Këshilli Mbikëqyrës i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare ka miratuar planin e menaxhimit të riskut nga ndryshimet klimatike, duke u kthyer në një nga operatorët e parë në Evropë për adresimin e rreziqeve që vijnë nga temperaturat në rritje dhe ndryshimet hidrologjike.

Miratimi i planit është pjesë e kushteve të një kredie prej 218 milionë euro nga BERZH tek Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, për të mbështetur ristrukturimin dhe transformimin e kompanisë.

Ndërkohë që, sipas BERZH, Korporata që menaxhon hidrocentralet mbi lumin Drin, përballet me sfida për shkak të ndikimit të ndryshimeve klimatike, gjë që do të kërkojë investime të konsiderueshme në të ardhmen e afërt dhe afatmesme.

Në këtë kuadër, plani i menaxhimit të rrezikut të klimës përcakton një listë të masave adaptuese strukturore dhe jo-strukturore që do të zbatohen nga KESH për të zbutur këto rreziqe, por gjithashtu për të shfrytëzuar mundësitë që dalin nga ndryshimet klimatike.

Plani i miratuar, u zhvillua në kuadrin e një programi për ndërtimin e kapaciteteve të financuar nga fondi austriak DRIVE.