122 shqiptarë tentuan të kalojnë kufirin ilegalisht

Ka përfunduar operacioni “Drino 2” në Gjirokastër, ku në total 56 shtetas të huaj tentuan të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme përgjatë 1 muaji. Po ashtu gjatë këtij operacioni i zhvilluar në bashkëpunim me disa vende të tjera kanë tentuar të kalojnë kufirin 122 shtetas shqiptarë. Në mbyllje të këtij operacioni, në prezantimin e bilancit ishte e pranishme ishte edhe zv/drejtorja e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj.

Njoftimi i Policisë së Shtetit

Gjirokastër, përmbyllet operacioni “Drino 2”. Operacioni u zhvillua nga data 30 nëntor deri më 17 dhjetor. Në operacion morën pjesë Shqipëria, Austria, Kroacia, Sllovenia, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Moldavia.

Operacioni “Drino 2” në vijim të operacionit “Drino” me fokus parandalimin dhe ndëshkimin e imigracionit të parregullt dhe të çdo forme tjetër të krimit ndërkufitar.

Operacioni është zhvilluar në zonën kufitare që është në juridiksionin e stacionit të Policisë Kufitare të kufirit të gjelbër Kakavijë.

Gjatë ditëve të operacionit janë kapur imigrantë të parregullt të cilët në përfundim të procedurave të verifikimit sipas legjislacionit janë kthyer mbrapa në shtetin grek, si dhe shtetas shqiptar të kapur në tentativë për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.