“Kyçen” bastet në Lezhë, 4.140 pika bastesh mbyllen në Shqipëri

Nga 1 janari i vitit 2019 në të gjithë Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë më pika bastesh. Ky është ligji i ri që do të hyj në fuqi. Kompanitë e basteve nuk kanë pritur 31 dhjetorin për mbylljen e pikave të lotove. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, deri më tani kanë deklaruar mbylljen 4.140 pika bastesh sportive, që përbëjnë mbi 90 për qind të pikave të regjistrura zyrtarisht në të gjithë vendin.

Pikat e basteve sportive në qytetin e Lezhës po mbyllen masivisht me afrimin e 31 dhjetorit që është afati i fundit për kyçjen e këtyre bizneseve. Në pjesën më të madhe të ambienteve që ushtronin këtë aktivitete, tashmë janë vendosur tabelat “jepet me qira”.

Pas këtyre qepenave të mbyllura në qytetin e Lezhës, deri pak ditë më parë zhvillonte aktivitet një pikë bastesh sportive. Prej ditesh ka nisur mbyllja masive e basteve sportive, ndërsa kazinot elektronike duket se po shfrytëzojnë edhe këto ditë të fundit që ju kanë ngelur. Disa pika bastesh madje kanë hequr edhe çdo tabelë apo logo që ishte e vendosur tek biznesi i tyre. Jashtë kameras pronarët thonë se janë të detyruar t’i mbyllin bizneset në mënyrë që mos të vazhdojnë të paguajnë taksa, pasi për ta ka kosto dhe humbje të mëdha.

Edhe agjencitë imobiliare bëjnë të ditur se ambiente që deri më tani shërbenin si pika bastesh dhe lotosh, janë bërë pjesë e listës së ambienteve të lira që lëshohen me qira. Sipas ligjit të miratuar nga qeveria Rama, duke nisur nga data 31 dhjetor 2018, do të pushojnë së funksionuari të gjitha pikat e basteve dhe kazinove elektronike në vendin tonë. Nga ana tjetër, ky vendim do të nxjerrë të papunë punonjësit e këtyre aktiviteteve dhe kjo sipas tyre ka ndikim negativ në ekonominë e shumë familjeve.

Në Shqipëri, 3 janë operatorët e basteve sportive. Përveç kompanisë “Top Start”, pronare e “Eurolloto”-s që vazhdon punë pjesërisht, dy shoqëritë e tjera kanë njoftuar autoritetet për mbylljen e aktivitetit. Burime pranë kompanive bëjnë me dije se ndërprerja e punës është përfudimtare dhe se mbyllja para afatit lidhet me likuidimet mes tyre dhe pikave që operonin përmes licencave të tyre.

Ndërkohë, kazinotë elektronike ende nuk i kanë ulur qepenat. Duke qenë në menaxhim të kontrolluar drejtpërdrejt prej kompanive dhe në numër shumë herë më të reduktuar sesa pikat e basteve, likuidimi i tyre është më lehtë për t’u administruar. A do të jetë ky “fundi i marrëzisë”? Sipas ligjit të miratuar nga mazhoranca, prej 1 janarit të vitit 2019, organizimi, zhvillimi dhe ndërmjetësimi i lojërave të fatit, basteve sportive dhe lotarisë është përgjegjësi e shtetit. Sesi do të funksionojë kjo, mbetet për t’u parë në varësi të akteve të tjera nënligjore që do të nxjerrë qeveria.

Kompanitë e basteve kanë nxjerr në treg dekoderët e televizorit, të cilët variojnë nga 5 mijë lek deri në 20 mijë lek të reja, kjo në varësi të madhësisë. Ndërkohë për punonjësit e pikave të basteve problemin më të madh të tyre kanë humbjen e vendit të punës.