“Ditari i Marjana Kondit” brenda familjes së Ana Frank

 Shfaqja me autor Frances Goodrich dhe Albert Hackett, si dhe me regji të Armela Demaj do të vazhdojë të jepet në Teatrin “Metropol” edhe më datë 1, 2, 6, 7, 8 e 9 dhjetor

Intervistoi: Albina Gjergji

Nëse ndokush do të më kërkonte të thoja një shprehje që i përshtatet më së miri aktores së njohur, Marjana Kondi, me siguri e para që do të më vinte ndërmend do të ishte ajo e Oscar Ëilde, e cila thotë “Bëhu vetja, të gjithë të tjerët janë zënë”. Kjo për faktin se temperamenti dhe personaliteti i Marjanës është aq origjinal sa vazhdon të udhëhiqet nga dlirësia e mendimit se vetëm dashuria e bën botën më të bukur. E në fakt, në një kohë kur njeriu “modern” (nga më i thjeshti e deri tek ai që krenohet me grada mbi supe) po pëson ndryshime të forta, të mbetesh ai që je nuk është aspak e lehtë, prandaj edhe gazetarët e konsiderojnë privilegj bashkëbisedimin e sinqertë me personazhe si Marjana Kondi.

Image may contain: one or more people, people sitting, table and indoor

Së fundmi, ajo ka qenë e pranishme për publikun kryeqytetas në shfaqjen “Ditari i Ana Frank”, vënë në skenë për disa net me radhë në Teatrin “Metropol”. Dhe, si në çdo pjesëmarrje të saj edhe në këtë të radhës, Marjan Kondi tërhoqi vëmendjen e publikut dhe të kolegëve, duke marrë duartrokitje të gjata dhe duke u kthyer disa herë në skenë nga ovacionet e shumta.

Image may contain: 2 people, people sitting and indoor

Për këtë shfaqje, (e cila do të vazhdojë të ngjitet në skenë edhe gjatë javës së parë të dhjetorit) por edhe për të tjera detaje, më poshtë do të shfletojmë “Ditarin e Marjana Kondit”, duke shpalosur një dimension tjetër të saj, si dhe duke sjellë në memorie rolet dramatike, që ajo ka interpretuar ndër vite.

Image may contain: 2 people, people standing and night

15 herë në skenë, “Ditani i Ana Frank” fundjavën që lamë pas korri një sukses të jashtëzakonshëm në “Metropol”. Mund të na thuash si e prite ftesën dhe bashkëpunimin me regjisoren Armela Demaj, Marjana?

E prita me shumë kënaqësi ftesën nga regjisorja Armela Demaj. E gatshme për të bashkëpunuar me brezin e ri të artistëve. “Ditari i Ana Frank” është një vepër që më intrigoi që në leximin e parë.

Kjo shfaqje e fortë në ngjarje dhe në mesazh flet për një nga periudhat më të errëta të historisë njerëzore. Atë të jetës së një familjeje hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Si e përjetuat rolin tuaj?

Në këtë shfaqje unë nuk kam përjetuar rolin në mënyrë skematike si aktore, por gjithë gamën e ndjesive të këtij personazhi.

Image may contain: 8 people, people standing, suit and indoor

Duke qenë se në rolet artistike, publiku është mësuar më së shumti t’ju shohë në komedi dhe humor, “Ana Frank” ju solli me një tjetër karakter, atë të një drame? Profesionalisht ku e gjeni veten më mirë?

Profesionalisht e gjej veten më mirë në tërësi në profesionin tim. E gatshme për të interpretuar komedinë, dramën, njëherazi edhe tragjedinë.

Image may contain: 3 people, people sitting and indoor

Mund të na përmendi disa nga rolet tuaja në dramë Marjana?

Në fakt janë të shumta dhe duhet të theksoj që vazhdoj ende t’i dua shumë. Ndër to përmend: “Pesha e fajita”, regjisor Ilir Bezhani;  “Të gjallët”, regjisor Ilir Bezhani; “Gjoleka, djali i Abazit”, regjisor Dhimitër Anagnosti; “Venecia”, regjisor Spiro Duni; “Fqinjët”, regjisor Alfred Trebicka; “Lideri”, regjisor Adonis Filipi; “Djallëzorët”, me regji nga Kolektiv38; “Hënat e fundme”, regjisor Milto Kutali; “Komedi në errësirë”, regjisor Najada Elmazi, etj..

Emocionalisht, sa e vështirë ishte të futeshit nën lëkurën e zonjës Van Dan, një zonje e cila thuajse nuk kënaqej dhe as përshtatej me kushtet e bashkëjetesës në familjen Frank?

Për stadin profesional në të cilin ndodhem, të jem e sinqertë nuk shoh më vështirësi në përfshirjen emocionale të ndjesive të personave. Kam shumë ndjesi brenda vetes për t’ia mishëruar një personazhi.

Image may contain: 3 people, people sitting

Një zonje, së cilës i pëlqente jeta e luksit, ç’mesazh përcjell në vetvete peliçja e znj. Van Dan?

Peliçja e znj. Van Dan, përveçse është një kujtim i vyer nga i ati i saj, gjithashtu përfaqëson shtresën sociale së cilës ajo i përket. Gjithkush prej nesh duhet të jetë koshient për vlerat që mbart dhe të dijë të ruajë  vendin që i takon në shoqëri. Peliçja është simbol i meritokracisë.

Nëse do të bënim një paralele… ka ndonjë pikë ku ndahet, apo bashkohet Marjana Kondi me personazhin e saj në këtë rol?

Sigurisht që ka pika të përbashkëta mes meje dhe znj. Van Dan dhe pika ku distancohemi, ku falë procesit dhe mjeshtërisë së aktorit njësohen Marjana Kondi dhe Znj. Van Dan.

Personazhi juaj është karakter dhe protagonist. Çfarë mendoni se publiku vlerësoi më së shumti tek ju?

Mendoj se publiku është vlerësuesi më i saktë. Ai vlerëson Marjanën dhe i atribuon vëmendjen maksimale në punët e mia, pavarësisht roleve apo partnerëve që kam pasur.

Image may contain: 1 person, sitting, wedding and indoor

Sa role numëron karriera juaj Marjana?

Së fundmi m’u desh të azhornoja CV dhe deri tani më rezultojnë mbi 100 role në ekran dhe teatër.

Dje, sot dhe nesër, si e shihni raportin e Teatrit me publikun dhe të publikut me Teatrin?

Në këtë botë asgjë nuk ndryshon, veçse teknikat, aparaturat, kurse njeriu njësoj dashuron, urren, intrigon… si atëherë dhe tani.

Image may contain: 2 people, night

Profesionalisht, çfarë mungonte në të shkuarën që sot mund ta kemi edhe me tepri sot (ose anasjelltas)?

Mungon profesionalizmi dhe kultura e punës. Unë këtë gjë e vuaj shumë në një realizim artistik.

Si jeton një artist sot Mariana? Veç afeksionit që merr nga publiku a ndjehet i shpërblyer edhe materialisht?

Sigurisht që afeksioni i publikut konvertohet në oferta pune dhe për stadin artistik, në të cilin ndodhem pranoj ofertat më të mira artistike dhe ekonomike.

Image may contain: 8 people, people standing