Përplasjet në kufi, Trump: Prindërit e fëmijëve emigrantë janë “grabitës”

Tensionet janë rritur në kufirin jugperëndimor të SHBA-ve me Meksikën javët e fundit, pasi mbi 7,000 emigrantë nga Amerika Qendrore u mblodhën në kufi, në një përpjekje për të kaluar në SHBA. Të dielën, një grup prej afro 1,000 emigrantësh, u përpoqën në mënyrë dramatike të sulmonin gardhin kufitar, pranë Tijuanas, pas mbylljes së përkohshme të kalimit kufitar të Kalifornisë Jugore.

Kaosi pasoi përpjekjen e tyre, pasi agjentët e kufirit amerikanë iu kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës. Turma u shpërnda pas ndërhyrjes së ushtrisë amerikane, teksa më parë emigrantët u përpoqën të çanin gardhin ndërsa të tjerët u përpoqën të hapnin vrima nëpërmjet tij.

Por me reagimet e fundit mbi situatën në kufi, Presidenti amerikan Donald Trump ka nxitur urrejte, pasi është shprehur se disa “rrëmbyen” fëmijët e rastit për të përmirësuar shanset e tyre për azil. Teksa komentoi sulmet me gaz lotsjellës nga agjentët amerikanë, Trump tha se ata prindër që përpiqeshin të çanin gardhin edhe pse kishin fëmijë janë “vetëm grabitës oportunistë”.

“Ju e dini, ata s’janë prindër”, tha presidenti amerikan para gazetarëve në një tubim në Misisipi të hënën natën.

“Këta janë njerëz, që i quajmë ‘grabitës’”, vazhdoi Trump. “Ata kapin një fëmijë, sepse mendojnë se do të kenë një status të caktuar duke patur një fëmijë”.

Më parë gjatë ditës, Trump kishte mbrojtur përdorimin e gazit lotsjellës nga agjentët e kufirit duke këmbëngulur se “ne nuk e përdorim atë për fëmijët”.

Sidoqoftë, kur u sfidua nga mediat në Misisipi se fëmijët ishin në fakt të përfshirë në incident, Trump e përshkroi gazin si një “masë shumë të vogël” dhe “shumë të sigurt e të padëmshme”.

Ndërkohë, pas incidentit, komisioneri i Doganës dhe Mbrojtjes së Kufijve (CBP) Kevin McAleenan mbrojti njëjtë si Trump shkarkimin e bombolave ​​të gazit CS nga agjentët duke thënë se u ndalua një “situatë jashtëzakonisht e rrezikshme”, pasi kryesisht meshkujt emigrantë filluan të hedhin gurë.

McAleenan shtoi se 69 persona u arrestuan pasi tentuan të hynin në mënyrë ilegale në SHBA gjatë përleshjes. Kjo u përsërit nga Shtëpia e Bardhë, e cila lavdëroi mënyrën se si “zyrtarët menaxhuan profesionalisht” situatën duke vepruar në përputhje me “protokollin standard”.

Megjithatë, Meksika ka kërkuar një “hetim të plotë” mbi incidentin, për të cilin ata thonë se janë përfshirë agjentët amerikanë të BKP që qëllojnë me armë jo vdekjeprurëse në territorin meksikan.

Përkundër dënimit të gjerë nga demokratët dhe aktivistët për përdorimin e gazit CS për emigrantët, Trump këmbënguli që nëse dhuna vazhdon në kufi, kufiri mund të mbyllet për një kohë të pacaktuar.

“Do ta mbyllim nëse kemi ndonjë problem. Dhe do ta mbajmë të mbyllur për një kohë të gjatë”, tha ai.