LIVE/ Kufijtë në Ballkan, Berisha: Të mblidhet një konferencë ndërkombëtare

Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Përballë’ në RTSH se për Ballkanin duhet të mblidhet një konferencë ndërkombëtare.

I pyetur nga gazetari Lutfi Dervishi për ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbi, ish-kryeministri është shprehur se kjo do të sillte veprim domino në gjithë Ballkanin.

“Të mblidhet një konferencë ndërkombëtare dhe të rivizatojmë sërish kufinjtë në Ballkan. Ballkani është një vend luftërash. Po të shikosh historinë, Ballkani ka qenë vendi i luftërave. Kanë qenë dy luftërat botërore, por ka pasur edhe Luftërat Ballkanike. Të gjithë ata që janë marrë me Ballkanin, përveç Petriç janë kundër ndryshimit të kufijve në Kosovë”, është shprehur ish-kryeministri Sali Berisha mbrëmjen e sotme në ‘Përballë’.

“Edi Rama dhe argati serb në Prishtinë, punojnë për Serbinë e Madhe”

Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se Aleksandër Vuçiç në bashkëpunim me Edi Ramën dhe Hashim Thaçin po ngrejnë Serbinë e Madhe.

“Ku e bazon Vuçiç ndryshimin e kufijve me Kosovën? Nuk ka asnjë dokument, asnjë letër për këtë gjë. E bazon vetëm te argatët e tij në Prishtinë dhe në Tiranë. Edi Rama dhe argati i serbëve në Prishtinë po punojnë për Serbinë e Madhe. Çfarë ka ky Vuçiç. Ai është shprehur se me argatët e tij në Prishtinë do të bëjë Serbinë e Madhe. Por çfarë do të ndodhë nesër ngrihet Tetova, nëse bëhen 10 Mitrovica në Ballkan?”, është shprehur ish-kryeministri Sali Berisha.

“Bëmat e qeverisë – Negociatat mund të mos hapen as në 2019”

Berisha  është shprehur se negociatat me BE-në mund të mos hapen as në 2019 dhe as gjatë mandatit të dytë të Edi Ramës.

Sipas ish-kryeministrit, kjo ndodh për shkak të bëmave të qeverisë së Ramës.

“E mbani mend, Edi Ramën që thoshte se do hapen negociatat që në mandatin e parë. Por kjo gjë nuk u bë. Europa dhe SHBA i shohin të gjitha bëmat e kësaj qeverie dhe Departamenti i Shtetit me anë të ambasadës së SHBA në Tiranë ka folur shpesh për Saimir Tahirin. Me bëmat e kësaj qeverie, mund të mos hapen negociata as në mandatin e dytë. Nëse Edi Rama kërkon t’i dërgojë mesazhe Europës, ta bëjë me anë të zyrës në Tiranë dhe jo të shkojë në Kosovë”, është shprehur ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Dyshtetësinë për të gjithë shqiptarët, Rama e ka bllokuar”

“Të hapet dyshtetësia edhe për shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi e të gjithë shqiptarët kudo që janë”.

Deklarata e fortë është bërë mbrëmjen e sotme nga ish-kryeministri Sali Berisha në intervistën e tij për gazetarin Lutfi Dervishi në emisionin “Përballë” në RTSH.

Sipas deputetit demokrat, ky projekt nisi gjatë qeverisjes së tij, por u bllokua sapo Edi Rama mori pushtetin.

“Dyshtetësia është bllokuar nga Edi Rama. Ne e nisëm, por qeveria e Ramës e ka ndaluar. Duhet edhe një vendim i qeverisë së Kosovës për qytetarët që të marrin dyshtetësinë. Për shqiptarët në Kosovë, firmoset marrëveshja për shqiptarët e Kosovës. Të hapet edhe dyshtetësia edhe për shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi e të gjithë shqiptarët kudo që janë. Më pas i thuhet BE-së që unë do e bëj këtë gjë për shqiptarët”, tha Berisha.