Kosova dhe Shqipëria në tryezën e Pejës: Të zhgënjyer me BE-në

Sot në Pejë, Kosovë, dy qeveritë janë mbledhur sëbashku. Kryeministri Edi Rama dhe kryeministri Ramush Haradinaj janë takuar dhe kanë dëgjuar himnin kombëtar, ndërsa në sfond shihen protestues me pankarta ku shkruhet “Gruevskin e ndihmuat, Val Zekën e tradhëtuat”; ata janë familjarë të Grupit të Kumanovës, që kanë pritur mbështetje nga qeveria shqiptare.

Menjëherë pas ceremonisë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shpalli të hapur mbledhjen e përbashkët.

“Jam i lumtur për të arriturat e këtij takimi të përbashkët dhe jam i bindur se mundësia për të nënshkruar 9 marrëveshje do të çojë deri në unifikimin e ekonomive tona dhe jo më kaq. E di që populli pret më shumë nga ne dhe ne do angazhohemi edhe më shumë dhe vetëm me punë do të marrim respektin e të gjithëve”, ka thënë Haradinaj.

Ai tha se Peja diti t’i thotë jo ndarjes në ‘99, Peja e Haxhi Zekës, Peja e qershorit 99 shkrumb e hi e me shumë dhimbje u ringirit për të mos u rrëzuar më kurrë dhe atë duke e ndërtuar shtyllat kryesore të jetës shtetërore me shumë mund.

“Sot Kosova është palë kontaktuese me BE-në, me MSA-në, zbaton prioritetet e reformës evropiane dhe ka përmbushur kriteret për liberalizmin e vizave. Ashtu si çdo popull edhe Kosova pret që vendimmarrja të jetë pozitive”, ka thënë më tej Haradinaj.

Ndërkohë në fjalën e tij kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shprehu sërish zhgënjimin nga Brukseli lidhur me heqjen e vizave për Kosovën.

Rama tha se Kosova nuk mund të trajtohet si gjysmë shtet, teksa vlerësoi se krijimi i ushtrisë ishte vendimi i duhur.

Rama: Për Shqipërinë Kosova është një shtet i pavarur, sovran, i barabartë me të ngjashmit e tij. E drejta ndërkombëtare nuk njeh gjysmë shtete. Kemi mirëpritur dhe mirëpresim çdo çast të gjitha dinamikat dypalëshe dhe shumëpalëshe. 

Kemi qenë dhe mbetemi të zhgënjyer nga qasja e BE dhe gjithë atyre shteteve që janë në thmelet të pavarësisë së Kosovës në raport me të drejtën për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj. Ja pse themelimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës ishte hapi i duhur.

Vonesat në procese si Interpoli më së fundmi janë shfaqe dekurajuese për qasjen e partnerëve potencialë në këtë rajon që mjerisht ngrihen dhe ngrysen me tendenca konfliktualiteti për tu viktimëzuar.

Kryeministri Edi Rama e quajti vendim normal vendosjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe  nga Kosova.

“Ky është një vendim normal në kushte irracionale siç ato që përvijonë vijimsisht qasja e Serbisë. 

“What the fuck! Ne nuk mund të mohojmë se marrëdhëniet dy palëshe nuk janë pa vështirësi, por ama këto vështirësi janë të kapërcyeshme kur ka vullnet të mirë për të shkuar drejt një horizonti të përbashkët.

Zero tarifa dhe zero barrierave tarifore brenda 6 mujorit të parë Shqipëri- Kosovë. Nëse jemi këtu jemi këtu dhe duhet ta bëjmë dhe nuk ka nevojë të mblidhemi sërish. Sot është koha të vëjmë 100 % tarifa në veri të Kosovës dhe zero % në jug të Kosovës”, u shpreh Rama.

Kjo është agjenda e aktiviteteve që do të mbahen me këtë rast:

10:15  Ceremonia shtetërore e mirëseardhjes

10:30  Fillimi i mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë

12:00 Ceremonia solemne e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërmjet dy qeverive

12:30  Konferenca e përbashkët për media e Kryeministrit të Kosovës, Ramush

Haradinaj dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
13:00  Fotografia e përbashkët e të dy kabineteve qeveritare