Talenti që luan në Finlandë tregon përse zgjodhi Kombëtaren shqiptare

Albion Ademi, sulmuesi i talentuar i Inter Turkut në Finlandë, ishte risia e Christian Panuccit në grumbullimin e fundit të Kombëtares shqiptare.

Por, edhe pse ishte i gatshëm për sfidat ndaj Skocisë dhe Uellsit, trajneri italian nuk ia dha shansin 19-vjeçarit për të debutuar, megjithatë Ademi nuk demoralizohet.

“Shqipëria humbi keq në ndeshjen e parë ndaj Skocisë dhe kërkonim fitore me Uellsin. Në atë ndeshje mund të bëheshin gjashtë zëvendësime, por trajneri shfrytëzoi vetëm dy. Besoj se në ndeshjen e radhës do të arrij të debutoj”, tha 19-vjeçari për mediat finlandeze.

Rreth zgjedhjes për Shqipërinë, Ademi tha: “Më thanë se Panucci më kërkoi në skuadër dhe nuk mund ti rezistoja ftesës. Që kur isha i vogël ndiqja ndeshjet e Kombëtares dhe bëja tifo për lojtarët kuqezi. Dëshira ime ka qenë të luaja për Shqipërinë dhe bëra një zgjedhje me zemër. Grumbullimi në Kombëtare dhe ditët e kaluara në stërvitje me lojtarët e tjerë më dhuruan një ndjesi fantastike”.